Lajme

Prokuroria kërkoi dënim maksimal për Naim Murselin dhe të akuzuarit e tjerë – juristët flasin për vendimin që pritet nga Gjykata!

Më 17 prill, është mbajtur seanca e fundit për vrasjen e Liridona Ademajt, ku u paraqiten fjalët përfundimtare në rastin ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës, të cilët akuzohen për planifikimin dhe ekzekutimin e vrasjes me marrëveshje për pagesë prej 30 mijë euro.

Prokurorja Javorka Perlinqeviq, në fjalën përfundimtare, tha se pas zhvillimit të procedurës së provave, ku janë paraqitur të gjitha provat materiale të grumbulluara gjatë hetimit, janë marrë në pyetje të gjithë dëshmitarët relevantë që kishin njohuri lidhur me sqarimin e rrethanave të rastit, si dhe pas paraqitjes së mbrojtjes nga të akuzuarit, po përmbyllet një proces gjyqësor që, sipas saj, ka sqaruar një krim makabër – vrasjen e Liridona Ademajt Murseli, të kryer më 29.11.2023 para fëmijëve të saj të mitur, të cilët në kohën e ngjarjes kanë pasur 4 dhe 6 vjet.

Prokurorja Javorka Perlinqeviq ka kërkuar dënim maksimal me burgim të përjetshëm për Naim Murselin dhe të akuzuarit e tjerë në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

Sipas Perlinqeviq, është vërtetuar se Naim Murseli ka vepruar për përfitim financiar apo moral, duke e simuluar një grabitje në të cilën viktima është trajtuar si “dëm kolateral”, ndërsa sipas pretendimeve të aktakuzës, ai ka marrë pjesë në organizimin dhe planifikimin e vrasjes.

Gjykata ka caktuar shpalljen e aktgjykimit për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt për të martën e ardhshme, më 21 prill, në ora 13:30.

Vendimi pritet të merret pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, ku palët sot kanë paraqitur fjalët përfundimtare dhe kanë dhënë qëndrimet e tyre lidhur me provat dhe përgjegjësinë penale të të akuzuarve.

Bajraktari: Gjykata do ta bëjë publik vendimin shumë shpejt, pastaj natyrisht se ju mbetet palëve për ankesa

Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur avokati Ardian Bajraktari.

Ai thotë se procesi gjyqësor është zhvilluar në mënyrë efikase nga prokuroria dhe gjykata, dhe është përfunduar brenda një afati të arsyeshëm, ndërsa aktakuza ka qenë e argumentuar mirë.

Image
Ardian Bajraktari.

Gjithashtu, ai thekson se vepra për të cilën akuzohen të pandehurit (vrasje e rëndë në bashkëkryerje) parashikon dënime shumë të rënda, nga të paktën 10 vite burg deri në burgim të përjetshëm.

“Sa i përket këtij procesi, duhet thënë se edhe prokuroria por edhe gjykata e kanë trajtuar me efikasitet dhe rrjedhimisht procesi është përfunduar brenda afatit të arsyeshëm. Në rrjedhë të asaj që kemi pasur mundësi me pa, aktakuza ka qenë e mirë argumentuar.

Kurse sa i përket veprës penale për të cilën akuzohen të pandehurit, vrasje e rëndë në bashkëkryerje, shkalla e dënimit është me dënim me jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm”, u shpreh ai.

Juristi shton që gjykata do ta publikojë vendimin së shpejti dhe më pas palët kanë të drejtë të bëjnë ankesë nëse nuk pajtohen me të.

“Sikurse u tha sot, gjykata do ta bëjë publik vendimin shumë shpejt, pastaj natyrisht se ju mbetet palëve që pasi ta pranojnë vendimin e shkruar, nëse kanë pretendime ndryshe ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të parashkruar ankesë”, folu juristi Bajraktari për “Bota sot”.

Burjani: Prokuroria, për të kërkuar burgim të përjetshëm, nuk ka nevojë ta provojë përfundimisht fajësinë, por duhet të paraqesë prova të mjaftueshme

Image
Blerim Burjani

Ndërsa, juristi Blerim Burjani në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë se Prokuroria mund të kërkojë burgim të përjetshëm nëse paraqet prova të mjaftueshme dhe bindëse për paramendim, organizim të veprës dhe rrezikshmëri të lartë shoqërore, si komunikime apo koordinim mes të akuzuarve, duke arritur standardin “përtej dyshimit të arsyeshëm”.

“Prokuroria, për të kërkuar burgim të përjetshëm, nuk ka nevojë ta provojë përfundimisht fajësinë, por duhet të paraqesë prova të mjaftueshme që bindin gjykatën se ekziston paramendim, organizim i veprës dhe rrezikshmëri e lartë shoqërore. Këto prova mund të përfshijnë komunikime paraprake, lëvizje të koordinuara të të akuzuarve, sigurimin e mjeteve për kryerjen e krimit, ndjekjen apo pritën ndaj viktimës dhe bashkëpunimin mes disa personave. Megjithatë, standardi që duhet të arrihet është “përtej dyshimit të arsyeshëm”, jo vetëm një dyshim i fortë”, shpjegon juristi.

Në fund, juristi nënvizon se edhe pse prokuroria mund të kërkojë burgim të përjetshëm, vendimi final i takon gjykatës, e cila e shqyrton rastin me kujdes dhe mund ta ulë dënimin nëse provat nuk janë mjaftueshëm të forta ose ka rrethana lehtësuese.

Nga ana tjetër, gjykata nuk është e detyruar të ndjekë kërkesën e Prokurorisë dhe mund të mos e pranojë burgimin e përjetshëm për disa arsye: nëse nuk provohet paramendimi dhe vepra mund të rikualifikohet si vrasje e rëndomtë; nëse i akuzuari ka pasur rol më të vogël ose dytësor në kryerjen e veprës; nëse ekzistojnë rrethana lehtësuese si mosha, gjendja mendore, pendimi apo bashkëpunimi me drejtësinë; si dhe në rastet kur provat janë indirekte, të pamjaftueshme ose me kundërthënie. Për më tepër, gjykata duhet të respektojë parimin e proporcionalitetit, duke e përshtatur dënimin me fajësinë individuale dhe rrezikshmërinë reale.

Në thelb, prokuroria vetëm kërkon dhe argumenton dënimin maksimal, ndërsa gjykata është ajo që vlerëson provat dhe merr vendimin përfundimtar. Për këtë arsye, kërkesa për burgim të përjetshëm nuk do të thotë domosdoshmërisht se ai dënim do të shqiptohet, pasi në praktikë ky dënim jepet vetëm kur provohet në mënyrë shumë të qartë dhe me siguri të lartë rëndësia dhe rrezikshmëria e veprës”, përfundoi Burjani për “Bota sot”.

Të Ngjashme