Mbi 1 mijë ankesa për mbrojtje të privatësisë dhe qasje në dokumente publike janë bërë të Agjencia e shtetit që merret me këto çështje gjatë 2025-s
Regjistrimi i 1 mijë e 85 ankesave të tilla, që është më shumë se çdo vit tjetër, lidhet me
ndërgjegjësimin më të madh të qytetarëve për të drejtat e tyre.
Këtë e konfirmon edhe komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva Dermaku, në një intervistë për KosovaPress.
Sogojeva: Ky numër në rritje i ankesave ka ardhur si rezultat i ndërgjegjësimit qytetar
“Ky numër në rritje i ankesave ka ardhur si rezultat i ndërgjegjësimit qytetar për sa i përket të drejtës për qasje në dokumente publike sidomos dhe mbrojtjes së të dhënave personale, për çka sot kemi mbyllur vitin 2025 dhe e kemi bërë raportin të cilin e kemi dorëzuar në kuvend, me 1085 ankesa të dorëzuara nga qytetarët. Çka vërehet kohëve të fundit te mbrojtja e të dhënave është interesimi i qytetarëve në mbrojtjen e privatësisë së tyre, jo vetëm përmes marrjes së të dhënave nga kamerat, apo edhe këto llojet e ankesave që kryesisht kanë qenë në fillim marketingu i drejtpërdrejtë kur na dërgohen mesazhe apo thirrje telefonike pa pëlqimin tonë. Mirëpo, edhe mënyrën e ndryshimit të të dhënave, qasjes në të dhënat e veta, por edhe keqpërdorimeve të tjera që kanë bërë kontrollues të ndryshëm biznese të ndryshme, institucione publike, por edhe mediat, kur publikojnë të dhënat e qytetarëve të rëndomtë pa pasur bazë ligjore të publikimit të tyre”, ka thënë Sogojeva.
Ndërkohë, një nga çështjet që ka gjeneruar më së shumti ankesa ka qenë marrja e të dhënave personale përmes kamerave të sigurisë, shumica private, dhe mënyra se si ato vendosen nga bizneset apo qytetarët.
Sogojeva: Ka qenë një abuzim total me kamerat nga ana e qytetarëve dhe bizneseve
“Çështja e marrjes së të dhënave personale përmes kamerave ka qenë një prej bazës së ankesave më të shumta, duke pasur parasysh që edhe është e njohur më lehtë për qytetarin. Në anën tjetër, ka qenë një abuzim total me kamerat nga ana e qytetarëve, duke pasur parasysh që s’ka pasur pothuajse biznes në Kosovë që kamerat i ka të drejtuara nga rruga dhe për fat të keq këto pamje janë përdorur dhe vazhdojnë të përdoren edhe nga Policia e Kosovës si sigurues të rendit dhe qetësisë së të gjithë qytetarëve.. Mirëpo se a ka ende dhe a vazhdon një abuzim me kamerat, vazhdon dhe ne jemi të vetëdijshëm për këtë. Por, e ceka edhe në fillim, qytetarët kanë filluar të ndërgjegjësohen edhe në veprimet e tyre që po i bëjnë në internet të hapur”, ka shtuar ajo.
Një shqetësim i madh në lidhje me mbrojtjen e privatësisë, sipas komisioneres Sogojeva Demaku është siguria e fëmijëve në internet. Ajo e cilëson si alarmante mungesën e edukimit për veprimet në hapësirën digjitale.
Sogojeva: Fëmijët dhe interneti çështje alarmante – vetëm në vitin 2025 janë kryer rreth 360 inspektime
“Mbetet shumë shqetësuese dhe është alarmante çështja e edukimit të fëmijëve në veprimet e tyre në internet.. Mbikëqyrja e platformave të cilat ofrojnë shërbime apo përmbajtje që mund të prekin fëmijët shumë lehtë. Dhe këtu kemi edhe rezultate që kanë ndodhur apo që janë marrë veprime nga autoritetet e ndryshme botërore, por edhe evropiane, sidomos ndaj gjigantëve të mëdhenj siç janë Meta, Google, ku janë gjobitur me shuma të mëdha pikërisht për shkak të algoritmeve të cilat i përdorin ata për t’i nxitur fëmijët që të jenë pre e këtyre sulmeve edhe kriminelve kibernetike që janë nga pedofilët e pastaj edhe tek ata të cilët profilizojnë përmes mbledhjes së të dhënave të qytetarëve dhe i keqpërdorin ato në mënyra të ndryshme”., ka thënë ajo.
Agjencia, sipas shefes së saj, gjatë viteve të fundit ka ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj institucioneve që nuk kanë zbatuar ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale dhe atë për qasjen në dokumente publike, duke mos e kursyer as Agjencinë Kosovare të Inteligjencës.
Sogojeva: Në këto pesë vite agjencia ka lëshuar shumë gjoba ndaj institucioneve, përfshirë AKI-në
“Në këto pesë vite agjencia ka lëshuar shumë gjoba. Kemi lëshuar gjoba ndaj të gjitha institucioneve të cilat nuk kanë zbatuar ligjin për mbrojtjen e të dhënave apo ligjin për qasjen në dokumente publike. Dhe këtu nuk përfshihet vetëm Agjencia e Inteligjencës, por janë ministritë, janë komunat, janë administrata tatimore, OSHP-ja, KRPP-ja ku kemi lëshuar vendime. kemi gjobitur edhe Këshillin Prokurorial, ku kemi lëshuar vendime detyruese edhe ndaj Gjykatës Kushtetuese, edhe gjykatave të tjera në Kosovë”, ka thënë Sogojeva.
Agjencia për Informim dhe Privatësi është institucioni përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale dhe për garantimin e të drejtës së qytetarëve për qasje në dokumente publike në Kosovë.
Ky institucion trajton ankesat e qytetarëve, kryen inspektime dhe mund të shqiptojë masa ndëshkuese ndaj institucioneve publike apo subjekteve private që shkelin dy ligjet që rregullojnë këto fusha.
