Në Gjykata Themelore në Prishtinë, gjatë shqyrtimit gjyqësor për rastin e sulmit terrorist në Banjskë e Zveçanit që ndodhi në shtator të vitit 2023, ndaj tre të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, Prokuroria Speciale dhe mbrojtja e palëve të dëmtuara kërkuan që ata të shpallen fajtorë dhe të dënohen me burgim të përjetshëm.
Në seancën e sotme edhe sot nuk munguan tre të akuzuarit të cilët me pranga në duar e me siguri të lartë u sollën në gjykatore për t’i dëgjuar fjalët përfundimtare nga Prokuroria Speciale dhe avokatët e të dëmtuarve.
Fillimisht prokurori special, Naim Abazi elaboroi fjalën përfundimtare teksa tha se sulmi terrorist në Banjskë nuk është incident i izoluar por një organizim i mirëfilltë kriminal me synim cenimin e rendit kushtetues të Kosovës.
Ai tha se përgatitjet kishin nisur qysh nga takimi në Rashkë të Serbisë në të cilin ishte kërkuar armatosje, mobilizim kundër institucioneve të Kosovës.
Sulmi nuk ishte incident i izoluar por organizim i mirëfilltë kriminal, theksoi Abazi
“Këtu nuk kemi të bëjmë me një rast të një incidenti të izoluar, por kemi të bëjmë me një organizim të mirëfilltë kriminal, me qëllim terrorist dhe me synim të cenimit të rendit kushtetues të sigurisë së Republikës së Kosovës. Fillimet e këtij organizimi nuk datojnë realisht nga data 24 shtator 2023. Ato dokumentohen qartë që nga takimi i datës 13 tetor 2021 në qytetin e Rashkës në Republikën e Serbisë, ku është kërkuar armatosje, mobilizim dhe përgatitje për rezistencë të armatosur kundër institucioneve të Republikës së Kosovë. Deklaratat e dhëna në atë takim kanë përfshirë thirrje për mbështetje shtetërore dhe veprim të armatosur. Kanë zbuluar elementet thelbësore të kësaj çështjeje, në paramendimin dhe synimin për përdorimin e dhunës si mjet për realizimin e objektivave politike. Ky qëllim nuk mbetet në nivel deklarativ, por materializohet në praktikë”, tha ai.
Sipas tij objektiv i këtij sulmi terrorist ishin Policia e Kosovës.
Objektiv i sulmit ishin policia e Kosovës, theksoi Abazi
“Vetë natyra e këtyre mjeteve dëshmon një gadishmëri për konfrontim të armatosur dhe dhunës si instrument veprimi, objektiv i sulmit ka qenë saktësisht policia e Kosovës si organi kushtetues i zbatimit të ligjit dhe renit publik çka e bënë këtë veprim cenim të drejtpërdrejtë të strukturës shtetërore dhe rendit juridik. Nga provat rezulton se pjesëtarët e grupit kanë ushtruar kontroll funksional mbi realizimin veprimeve duke vepruar si bashkëkryues në role të ndara…17’56Pretendimet për mungesë dijeni janë të pabazuara dhe bien ndesh me faktet objektive armatimi i rëndë uniformat taktike, komunikimi i koduar dhe pozicionimi i organizuar e përjashtojnë çdo mundësi të veprimit të pavetëdijshëm nga tërësia e këtyre rrethanave rezulton qartë se të pandehurit kanë vepruar me dashje të drejtpërdrejtë duke pranuar rrezikun dhe duke synuar realizimin e një operacionit të armatosur kundër rendit kushtetues të Kosovës ”, tha ai.
Prokurori Abazi në fjalën e tij përfundimtare tregoi se me sulmi ishte kryer me armatim të rëndë dhe pasojat e tij ishin tragjike ku mbeti i vrarë edhe rreshteri policor, Afrim Bunjaku e u plagosën zyrtarë të tjerë policor.
Abazi u shpreh se provat e siguruara nga droni tregojnë se grupi terrorist kishte zhvilluar stërvitje ushtarake në shtetin serb pa asnjë pengesë.
Prokuroria special, Naim Abazi kërkoi nga trupi gjykues t’i shpall fajtor tre të akuzuarit Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq dhe t’i dënoj me burgim të përjetshëm.
Kërkojmë burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit, tha Abazi
“Çdo dënim më i ulët do të ishte dispozicion i qartë me gravitetin dhe pasojat dhe rrezikshmërinë e veprimit dhe nuk do të përmbushte as funksionin ndëshkues e as parandalues të sanksionit penal. Në bazë të të gjitha provave të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe në bazë të analizës së plotë juridike të elementeve objektive dhe subjektive të veprës penale, si dhe në bazë të përgjegjësisë individuale të secilit prej të pandehurve, në kuadër të bashkimit, Prokuroria Speciale i propozon gjykatës që të shpallë fajtorë Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq për vepra penale për të cilat akuzohen dhe ndaj secilit prej tyre të shqiptojë dënimin maksimal të paraparë me ligj, jo më pak se burgimi i përjetshëm”, tha ai.
Nga gjykata t’i shpall fajtor tre të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjskë kërkuan edhe avokatët e familjes së rreshterit që u vra në këtë sulm, Afrim Bunjaku dhe zyrtarëve policor që u plagosën Çlirim Shaqiri dhe Alban Rashiti.
Mbrojtësi i familjes Bunjaku, Arianit Koci deklaroi se rreshteri Afrim Bunjaku dhe familja e tij po vazhdojnë të vriten pasi askush nuk është distancuar nga krimi.
Ai tha se qëllimi i këtij sulmi terrorist ishte shkëputja e një pjese të Kosovës.
Afrim Bunjaku po vazhdon me u vra, po vazhdon me u vra familja e tij, tha Koci
“ Dënim me burgim të përjeshëm nuk ka tjetër ju po i shihni rrethanat, Afrim Bunjaku po vazhdon me u vra, po vazhdon me u vra familja e tij, me faktin se fare askush nuk është penduar, as kush nuk është distancuar. Unë e kisha kuptua një situatë me thënë unë nuk kam marrë pjesë se ka të drejtë me deklarua ai apo kushdo çka të dojë po më vjen keq për vdekjen e policit, më vjen keq për vdekjen e familjes time. Por s’ka, nuk ka keqardhje. Nuk ka keqardhje as nuk ka ndonjë farë kritike e sulmit që është bërë, jo vetëm ndaj policit Afrim Bunjaku, po është bërë ndaj të gjithë neve. Qëllimi ka qenë shkëputja e një territori të Kosovës, e në atë pjesë të territorit të Kosovës jemi të gjithë ne…. Kosova është shtet i pavarur, nuk ka me mujtë me u shkëputë asnjë pjesë e Kosovës edhe këtë duhet me e ditë të gjithë. Provat janë të qarta. Ju e keni parë që në viber kemi një moment ku thotë ‘ja filloi’. Filloi lufta. Nuk qenka lojë kjo punë. Domethënë, të gjitha këto i kanë bërë me vetëdije”, tha ai.
Burgim të përjetshëm për të akuzuarit kërkoi edhe Besiana Ismajli, avokatja e zyrtarit policor, Çlirim Shaqiri e cila tha se klienti i saj në sulmin terrorist në Banjskë mori lëndime trupore e psikike dhe si pasojë ende nuk është kthyer në punë.
Ismajli: U dëshmua që tre të akuzuarit ishin pjesë aktive e grupit terrorist
“Është dëshmuar mjaftueshëm se kanë qenë pjesë aktive e grupit terrorist, e i cili grup nuk është formuar rastësisht. Çlirim Shaqiri, nga ky sulm terrorist, nga këta të pandehur dhe shokët e tyre, u lëndua si nga aspekti fizik dhe psikik ku i njëjti akoma nuk ka rifilluar punën dhe nuk është rehabilituar. Ne tani nga gjykata kërkojmë që tre të akuzuarit t’i shpallë fajtorë, t’i marrë për bazë të gjitha rrethanat rënduese, si shkallën e lartë të dashjes, kryerjen e veprës penale në mënyrë mizore, ashtu që të akuzuarit t’i dënojë me burgim të përjetshëm, si dhe t’i detyrojë që të dëmtuarin, Çlirim Shaqirin, ta kompenzojnë për shërimin dhe rehabilitimin e dëmit që i ka marrë nga veprimet e tyre kriminale”, theksoi avokatja Ismajli.
E kompensim në shumën prej 1.5 milionë eurosh për policin, Alban Rashiti e dënim me burgim të përjetshëm për Spasojeviq, Toliq dhe Maksimoviq kërkoi edhe avokati i Rashitit, Naim Rudari.
Rudari kërkon burgim të përjetshëm për të akuzuarit dhe kompensim 1.5 milionë euro për Rashitin
“Alban Rashiti nga ky sulm terrorist, nga këta të pandehur dhe shokët e tyre, pësoi plagë të rënda trupore, plagë në këmbë, plagë tjetër në dorë si dhe në gjoks, afër zemrës, e po ashtu plagë të shumta psikike, ku akoma nuk ka rifilluar punën dhe akoma nuk është shëruar e rehabilituar nga veprimet e tyre kriminale…. 01’23’05Pra, në këtë rast kërkojmë nga gjykata që të njëjtit t’i shpallë fajtorë, t’i dënojë me burgim të përjetshëm dhe në këtë rast duke e detyruar secilin nga të akuzuarit, secilin veç e veç, në mënyrë solidare që Alban Rashitin ta kompenzojnë në shumën prej 1.5 milion euro për shërimin dhe rehabilitimin e plagëve të fituara nga veprimet e tyre kriminale”, tha ai.
Në seancën e radhës më 20 prill do të dëgjohen fjalët përfundimtare të mbrojtjes së të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq për sulmin terrorist në Banjskë së Zveçanit.
