Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj një të pandehuri nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
I pandehuri më 21 mars 2026, rreth orës 15:00, në Bokshiq të Klinës, pas një mosmarrëveshjeje për çështje pronësore ndërmjet viktimës dhe babait të tyre, dyshohet se ka marrë një armë zjarri dhe ka shtënë katër herë në drejtim të viktimës, vëllait të tij.
Viktima ka pësuar gjakderdhje të madhe të brendshme dhe të jashtme dhe ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Pejës.
“Po ashtu, sipas aktakuzës, i pandehuri e ka mbajtur dhe poseduar pa autorizim një pistoletë të kalibrit 9×19 mm, së bashku me një karikator dhe dhjetë (10) fishekë të të njëjtit kalibër, për të cilën nuk posedonte leje nga organet kompetente”, thuhet në njoftim.
Prokurori i Shtetit, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës kompetente që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit për veprat penale për të cilat akuzohet.
