Një aksion i koordinuar i institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë ka zbuluar dhe ndërprerë veprimtarinë e dyshuar të kontrabandës së mallrave nga Serbia drejt Kosovës përmes rrugëve ilegale në veri të vendit.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë të ditur se, gjatë hetimeve disamujore dhe aksioneve të zhvilluara në terren, janë sekuestruar mallra me vlerë doganore mbi 200 mijë euro, si dhe 22 automjete të llojeve të ndryshme, përfshirë kamionë, furgonë, xhipa dhe vetura.
Mallrat e sekuestruara përfshijnë produkte ushqimore, pije alkoolike dhe joalkoolike, pije energjike, cigare, barna pa banderola, produkte higjienike dhe tekstil. Në mesin e tyre janë gjetur edhe veshje me marka të mbrojtura tregtare, për të cilat dyshohet se nuk kishte autorizime apo licenca përkatëse.
Një nga rastet më shqetësuese është zbulimi i 504 shpezëve të gjalla, të cilat nuk kishin dokumentacion për origjinën dhe as certifikata shëndetësore. Me vendim të inspektorit veterinar, ato janë asgjësuar për shkak të rrezikut të mundshëm për shëndetin e qytetarëve.
Hetimet nisën në prill, mbi 20 aksione në veri
Sipas njoftimit të Prokurorisë, hetimet për këtë rast kanë nisur në prill të vitit 2026, ndërsa nga 24 prilli janë zbatuar masa të veçanta hetimore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit dhe në pajtim me Kodin e Procedurës Penale.
Gjatë periudhës maj-shtator janë zhvilluar mbi 20 aksione në zonat kufitare dhe në vendbanimet e komunave të Zubin Potokut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut.
Hetimet kanë zbuluar rrugët ilegale përmes të cilave dyshohet se mallrat futeshin nga territori i Serbisë në Kosovë, si dhe objektet ku ato shkarkoheshin, ruheshin dhe më pas shpërndaheshin në treg.
Prokuroria ka bërë të ditur se automjetet e përdorura në këtë veprimtari, në shumicën e rasteve, ishin të modifikuara për transportimin e mallrave të kontrabanduara, pasi u ishin hequr ulëset e pasme. Sipas hetimeve, drejtuesit e tyre, kur vërenin praninë e zyrtarëve policorë, shpesh i braktisnin automjetet dhe largoheshin nga vendi i ngjarjes.
Aksioni i fundit është zhvilluar nën udhëheqjen e Prokurorit të Shtetit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Sektorin Rajonal të Hetimeve dhe Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicë të Veriut, Doganën e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Dyshime për kontrabandë dhe tregti të ndaluar
Sipas Prokurorisë, qëllimi i hetimeve ka qenë parandalimi i shpërndarjes së mallrave që nuk i janë nënshtruar kontrollit doganor dhe procedurave të importit, veçanërisht produkteve ushqimore dhe barnave, për të cilat nuk dihen origjina, kushtet e transportit dhe ruajtjes apo afati i përdorimit.
Përveç rrezikut të mundshëm për shëndetin e qytetarëve, veprimtaria e dyshuar, sipas Prokurorisë, shkakton dëme në buxhetin e shtetit dhe dëmton bizneset që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në përputhje me ligjin.
Rasti po hetohet për veprat penale “Kontrabandimi i mallrave”, nga neni 311, dhe “Tregtia e ndaluar”, nga neni 299 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria ka bërë të ditur se janë identifikuar personat e dyshuar për përfshirje në këtë veprimtari dhe se hetimet ndodhen në fazën përfundimtare. Vendimet përkatëse do të merren pas vlerësimit të provave të siguruara dhe brenda afateve ligjore.
