Lajme

Prokuroria Speciale ngre aktakuza për krime lufte, edhe në mungesë

Numri i madh i proceseve gjyqësore në mungesë për krime lufte dhe vështirësitë në ekzekutimin e vendimeve mbesin sfida serioze të sistemit të drejtësisë. Vetëm gjatë vitit të kaluar, nga 50 procedura penale të zhvilluara, ku përfshihen qindra pjesëtarë të forcave serbe të akuzuar për krime lufte, 35 aktakuza janë ngritur në mungesë. Ndërkohë, mosbashkëpunimi i Serbisë me autoritetet e Kosovës e vështirëson sigurimin e të akuzuarve dhe zhvillimin efektiv të procedurave.

Pavarësisht se nuk kanë munguar aktakuzat ndërkombëtare, Prokuroria Speciale e Kosovës vazhdon të ngrejë aktakuza edhe në mungesë për krime të kryera gjatë luftës së fundit.

Gjatë vitit të kaluar janë zhvilluar procedura penale në 50 lëndë kundër 154 pjesëtarëve të forcave serbe, të akuzuar për krime lufte. Prej tyre, 24 aktakuza janë ngritur në mungesë ndaj 120 të akuzuarve. Po përgjatë vitit të kaluar, Prokuroria Speciale ngriti edhe 15 aktakuza të reja, nga të cilat 10 janë në mungesë. Raporti i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë karakterizohet edhe me nisjen e gjykimeve në mungesë, të cilat tashmë po zhvillohen në disa raste.

“Aktualisht janë aktive 24 aktakuza në mungesë dhe sigurisht që gjyqësori duhet t’i përmbushë kushtet për zhvillimin e këtyre procedurave në përputhje me praktikat e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në mënyrë që të mos ketë shkelje procedurale”, tha Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

Nga monitorimi i afërt i proceseve gjyqësore nënvizohet se këto raste kërkojnë trajtim profesional dhe kujdes të shtuar, duke shmangur praktikën e gjykimeve vetëm në letër, pa mundësi reale të ekzekutimit të vendimeve. Një gjendje e këtillë ndikohet edhe nga mungesa e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Serbisë në shkëmbimin e informatave dhe ndihmës juridike, gjë që shpesh shfrytëzohet nga personat e dyshuar për krime lufte.

Njëkohësisht, në raport nënvizohet edhe nevoja që bashkësia ndërkombëtare të jetë më vigjilente dhe që bashkëpunimi juridik të vendoset si kusht në kuadër të dialogut, në mënyrë që të sigurohet ndjekja dhe ndëshkimi i të gjithë personave përgjegjës për krime lufte, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

“Me kalimin e kohës vdesin dëshmitarët dhe personat që kanë kryer krimet, ndërsa 25-26 vjet pas përfundimit të luftës, numri i personave të dënuar mbetet shumë i vogël dhe simbolik. Në anën tjetër janë mijëra viktima civile dhe familje të viktimave që ende presin drejtësi dhe i kanë sytë nga gjykatat dhe prokuroria“, theksoi Alija.

Mungesa e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Serbisë edhe më tej mbetet sfidë, pavarësisht se besohet se krijimi i mekanizmave më efektivë për ngritjen e aktakuzave të tjera mund të ndikojë në arritjen e rezultateve konkrete në ndjekjen e krimeve të luftës.

Ndryshe, rastet që janë zhvilluar me prezencë fizike të të akuzuarve kanë sjellë rezultate më konkrete, pasi personat e arrestuar po i vuajnë dënimet dhe vendimet gjyqësore po zbatohen. Megjithatë, nuk janë të rralla as rastet që Fondi për të Drejtën Humanitare i ka evidentuar si arratisje të personave që menjëherë pas ngritjes së aktakuzave janë arratisur nga qendrat e paraburgimit dhe vazhdojnë të jenë në kërkim nga autoritetet vendore dhe ndërkombëtare.

Megjithatë, në rastet kur ata ndalohen në shtete të tjera, mund të iniciohet procedura e ekstradimit. Në këtë kontekst, nga këndvështrimi i juristëve, vihet në pah se është thelbësore që gjykimet në mungesë të zhvillohen në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe pa shkelje procedurale, në mënyrë që ato të mos shërbejnë si bazë për kundërshtime ligjore gjatë procedurave eventuale të ekstradimit. 

Të Ngjashme