Protestat kundër qeverisë së Edi Ramës kanë vijuar edhe këtë të diel në Tiranë, në ditën kur Shqipëria shënon 82-vjetorin e çlirimit nga pushtuesit nazifashistë.
Protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, prej nga marshuan drejt Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe duke brohoritur kundër qeverisë.
Situata u tensionua kur protestuesit hodhën mjete piroteknike dhe bomba molotov në drejtim të kordonit policor, ku pastaj forcat e rendit reaguan me gaz lotsjellës dhe topa uji, në përpjekje për të shpërndarë turmën.
Sipas mediave shqiptare, deputeti demokrat Kliti Hoti mbeti i plagosur nga një plumb gome dhe u dërgua në spital për trajtim mjekësor.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi se deputeti ishte qëlluar me urdhër politik tw dhwnw nga kryeministri.
Protesta e së dielës vjen një ditë pas tubimit masiv të 28 nëntorit, ku policia arrestoi 14 persona, ndërsa 61 të tjerë u raportuan të lënduar. Mes tyre kishte efektivë policie, protestues, gazetarë dhe kalimtarë.
Demonstratat janë pjesë e një serie protestash që nisën në fund të majit, fillimisht të nxitura nga kundërshtimi ndaj një projekti të madh turistik luksoz në bregdetin jugor të Shqipërisë, por që më pas u shndërruan në protesta kundër qeverisë dhe kërkesave për largimin e kryeministrit Rama./teve1.info/
