Lajme

Tre vjet pa Liridonën, vëllai i saj prek me fjalët për motrën: Më së shumti na dhemb për dy djemtë e tu

Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt, e ka kujtuar motrën e tij në trevjetorin e vrasjes, duke publikuar një dedikim prekës në rrjetet sociale.

Ai ka shkruar se familja vazhdon të përballet me dhimbjen dhe mallin për Liridonën, ndërsa mungesa e saj ndihet çdo ditë.

“Sot bëhen 3 vite që kur na u këput një pjesë e shpirtit, 3 vite që jetojmë me mungesën, dhimbjen dhe mallin për ty, motra jonë e shtrenjtë”, ka shkruar Ademaj.

Në dedikimin e tij, ai ka përmendur veçanërisht dy djemtë e Liridonës, të cilët po rriten pa praninë e nënës së tyre.

Vëllai i saj ka theksuar se asnjë dënim nuk mund ta kthejë Liridonën, duke shprehur dhimbjen për humbjen e saj dhe boshllëkun që ka lënë në familje.

“Burgimi i përjetshëm për ata që ta morën jetën është pak për atë që kanë shkaktuar. Asnjë dënim nuk të kthen ty, asnjë ditë burgu nuk i shlyen lotët, dhimbjen dhe boshllëkun që na ke lënë”, ka shkruar ai.

Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023, në fshatin Bërnicë të Prishtinës, në një rast që fillimisht ishte raportuar si grabitje.

Për vrasjen e saj, Naim Murseli dhe Granit Plava u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa Kushtrim Kokalla me 30 vjet burgim. Gjykata e Apelit, më 23 nëntor 2026, i la në fuqi këto dënime.

Të Ngjashme