Lajme

Kuçi: Pandëshkueshmëria për sulmet në Banjskë dhe Ibër-Lepenc rrit rrezikun e destabilizimit të Kosovës

Njohësi i sigurisë, Gurakuç Kuçi, ka ngritur shqetësimin për mungesën e përgjegjësisë së Serbisë lidhur me sulmet në Banjskë dhe ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës, veçanërisht në Ibër-Lepenc.

Në një analizë të publikuar me rastin e dyvjetorit të sulmit në Ibër-Lepenc, Kuçi thekson se këto dy ngjarje dëshmuan dy dimensione të luftës hibride ndaj Kosovës: sfidimin e autoritetit territorial dhe goditjen e funksionalitetit të shtetit.

Ai është ndalur edhe te rasti i Milan Radoiçiqit, duke vënë në pikëpyetje kohën e lëshimit të urdhërarrestit nga gjykata në Beograd, më 17 nëntor 2026, kur ai tashmë ndodhej në arrati

Sipas Kuçit, kjo kronologji ngre dyshime për kalkulime politike të Beogradit, i cili mund të përpiqet ta paraqesë lëshimin e urdhërarrestit si përmbushje të detyrimeve ndaj ndërkombëtarëve, pa prodhuar përgjegjësi reale.

Shkrimi i plotë:

IBËR-LEPENCI DHE GJEOPOLITIKA E PANDËSHKUESHMËRISË

Dy vjet pas sulmit terrorist ndaj Ibër-Lepencit, Kosova përballet me një problem që shkon përtej sigurisë së infrastrukturës kritike. Është problemi i pandëshkueshmërisë dhe i kostos politike që Serbia realisht paguan për destabilizimin e Kosovës.

Banjska dhe Ibër-Lepenci evidentuan dy dimensione të luftës hibride. Përderisa në Banjskë u sfidua autoriteti territorial i Kosovës, në Ibër-Lepenc u godit funksionaliteti i shtetit.

Sot, me ndryshimin politik në Serbi, vëmendja duhet të përqendrohet edhe te mënyra se si Beogradi po administron trashëgiminë e këtyre sulmeve.

Milan Radoiçiqi qëndroi për më shumë se tre vjet në liri në Serbi. Gjykata në Beograd lëshoi urdhërarrest ndaj tij më 17 nëntor 2026, pasi ai tashmë ishte në arrati. Po atë ditë u konstituua edhe parlamenti i ri i Serbisë.

Kjo kronologji ngre dyshimin për një kalkulim strategjik. Radoiçiqit iu la mundësia të largohej, ndërsa udhëheqjes së re politike i mbetet një urdhërarrest me të cilin mund të argumentojë para ndërkombëtarëve se Serbia po përmbush detyrimet e saj. Përfitimi diplomatik është i dyfishtë: shmangia e barrës politike të arrestimit dhe neutralizimi i presionit ndërkombëtar për mosarrestimin e tij.

Në këtë mënyrë, Beogradi mund të përfitojë politikisht edhe nga një proces gjyqësor që ende nuk ka prodhuar drejtësi.

Të Ngjashme