Policia e Tiranës ka arrestuar 3 persona dhe ka proceduar penalisht 18 të tjerë, për veprime të kundërligjshme gjatë protestës së djeshme në Tiranë.
Policia po ashtu bëjnë me dije se kanë vendosur 44 gjoba, dy prej të cilave në vlerën 500 000 lekë.
“Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin ligjor të akteve të dhunës dhe veprimeve të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar ditën e djeshme, u arrestuan shtetasit:
-E. K., 33 vjeç, pasi dyshohet se ka dëmtuar trafikndarëset, si dhe ka thyer stendat e reklamave në rrugën “Muhamet Gjollesha”;
-I. R., 23 vjeç, pasi gjatë shoqërimit në Komisariat ka goditur një punonjës policie, për shkak të detyrës;
-Një i mitur, 15 vjeç, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e rendit dhe e qetësisë publike”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Mosbindja ndaj urdhrave të punonjësit të rendit publik”. Gjithashtu, 18 shtetas të tjerë u proceduan penalisht. Ndërkohë, në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026, konkretisht pikës 2 të nenit 24/1, janë plotësuar 44 procesverbale për konstatimin e kundërvajtjeve administrative të kryera gjatë tubimit të djeshëm, dy prej të cilave janë në vlerën 500 000 lekë”, shkruhet në raportin policor.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme. Vlen për t’u theksuar se në total numri i gjobave shkon në 256.
