Lajme

Protesta në Beograd ‘sfidon’ dialogun, ekspertët: Sovraniteti i Kosovës i pakthyeshëm dhe marrëveshjet nuk zhbëhen

Disa qytetarët serbë kanë protestuar të martën para Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, e cila është e vendosur në një ndërtesë me Zyrën e BE-së. Ata kanë kërkuar anulimin e të gjitha marrëveshjeve me Kosovën, në ditën e 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Organizatorët e protestës kanë thënë se “herët a vonë, me dëshirë apo me forcë, Kosova do të rikthehet në rendin kushtetues-juridik të Serbisë”.

Në tubim është thënë se protesta ishte organizuar para selisë së BE-së sepse në atë ndërtesë po bëhen “marrëveshjet e fundit me regjimin tradhtar në Beograd”, siç thuhet për të përfunduar ndarjen e Kosovës nga Serbia.

Mirëpo, pse kërkohet anulimi i të gjitha marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë pikërisht në 18-vjetorin e Pavarësisë? Kush qëndron pas organizatës “Tubimi serb” dhe çfarë agjende politike ka ajo?

Lidhur me këtë ҫështje profesori universitar, Prof.dr. Fejzulla Berisha ka thënë se, kjo nuk është një protestë e zakonshme, por një veprim me simbolikë të fortë politike.

Image
Prof.dr. Fejzulla Berisha

“Ky veprim, i zhvilluar në një datë simbolike, nuk është thjesht protestë – ai përbën përpjekje për të delegjitimuar procesin e normalizimit dhe për të sfiduar realitetin juridik ndërkombëtar”, thekson ai.

Kërkesat për anulim të marrëveshjeve janë të pabazuara juridikisht dhe rrezikojnë stabilitetin rajonal

Sipas tij, përvjetori i Pavarësisë mbart kuptime të ndryshme për palët.

“Për Kosovën është afirmim i sovranitetit dhe legjitimitetit ndërkombëtar, ndërsa për nacionalistët serbë shërben si mjet mobilizimi politik dhe përforcim i narrativës së mosnjohjes. Në të njëjtën kohë, për opinionin ndërkombëtar synon të krijojë presion ndaj Brukselit dhe partnerëve perëndimorë”, shpjegon Berisha.

Ai thekson se kërkesat për anulimin e marrëveshjeve të dialogut nuk kanë asnjë bazë juridike.

“Këto kërkesa bien ndesh me standardet e së drejtës ndërkombëtare dhe janë të papranueshme në çdo aspekt ligjor”, deklaron profesori.

Duke iu referuar Mendimit Këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Berisha nënvizon se pavarësia e Kosovës është e konfirmuar ndërkombëtarisht.

“Ky akt është përfundimtar dhe nuk lë hapësirë për interpretime selektive apo manipulime politike”, shton ai.

Sipas tij, narrativa që vjen nga Beogradi shpesh përpiqet ta paraqesë Kosovën si çështje të hapur, por realiteti është ndryshe.

 “Kosova është shtet i konsoliduar, sovran dhe pjesë aktive e rendit ndërkombëtar”, thotë Berisha.

Profesori paralajmëron se çdo tentativë për të prishur marrëveshjet e dialogut do të kishte pasoja serioze.

“Prishja e tyre do të bllokonte procesin e normalizimit, do të pengonte integrimin evropian të Serbisë dhe do të rrezikonte sigurinë rajonale, duke minuar edhe rolin e ndërmjetësimit ndërkombëtar”, thekson ai.

Në lidhje me organizatorët e protestës, ai vlerëson se bëhet fjalë për struktura me prirje nacionaliste.

“Këto organizime shpesh instrumentalizohen politikisht për të testuar reagimin publik ndaj ideve radikale dhe për të ushtruar presion në procesin e negociatave”, shprehet Berisha.

Ai dënon edhe retorikën e përdorur në protestë.

“Deklaratat për ‘rikthim me forcë’ janë jashtë çdo standardi demokratik dhe përbëjnë shkelje të parimeve të rendit ndërkombëtar të sigurisë”, thekson ai.

Duke folur për pozitën aktuale të Kosovës, Berisha vlerëson se ajo është tashmë një faktor stabiliteti në rajon.

“Kosova ka institucione funksionale, mbështetje të fuqishme nga partnerët strategjikë, përfshirë SHBA-në, dhe rol aktiv në mekanizmat ndërkombëtarë të paqes”, deklaron ai.

Në fund, ai nënvizon se sovraniteti i Kosovës nuk është çështje negociimi.

“Sovraniteti është i pakthyeshëm, integriteti territorial i garantuar dhe orientimi euroatlantik i pandryshueshëm. Historia nuk mund të ndryshohet me protesta simbolike – e ardhmja kërkon dialog dhe respekt të ligjit ndërkombëtar”, përfundon Berisha.

Ai e përmbyll me një shprehje domethënëse: “Siç thonë italianët, ‘Finere finato’ – çështja e Kosovës është çështje e përfunduar.”

“Sovraniteti i Kosovës është i garantuar, ndërsa marrëveshja me njohje reciproke mbetet thelbësore për stabilitetin rajonal”

Kurse, analisti Vesel Makolli vlerëson se Serbia ka ndërtuar ndër vite një narrativë të qëllimshme për Kosovën, duke e shndërruar atë në një mit politik që vazhdon të përdoret edhe sot.

Image
Vesel Makolli

“Serbia për një kohë të gjatë ka krijuar mitin për Kosovën dhe ka indoktrinuar gjenerata të tëra me këtë narrativë të rreme, duke vazhduar ende me të njëjtin avaz”, thekson Makolli.

Sipas tij, në këtë qasje janë të përfshira të gjitha strukturat shtetërore serbe.

“Në planet kundër shtetësisë së Kosovës marrin pjesë të gjitha strukturat politike, përfshirë akademinë dhe kishën ortodokse serbe. Kur është në pyetje Kosova, të gjithë ‘çekanët e Serbisë rrahin në një gozhdë’”, shprehet ai.

Makolli thekson se Kosova shpesh është përdorur si instrument për të mbuluar krizat e brendshme në Serbi.

“Sa herë që politikanët serbë përballen me probleme të brendshme, Kosovën e përdorin si pretekst për të larguar vëmendjen nga çështjet reale”, deklaron ai.

Duke iu referuar zhvillimeve të fundit, ai vlerëson se edhe protesta e organizuar në Beograd lidhet me këtë strategji.

“Në një kohë kur Serbia përballet me probleme të theksuara politike dhe ekonomiko-sociale, si dhe me presione ndërkombëtare për pozicionim të qartë mes Perëndimit dhe Rusisë, institucionet serbe nxisin forma të luftës hibride dhe aktivitete të tilla si protesta e fundit”, thotë Makolli.

Ai përmend deklaratat e protestuesve si shqetësuese dhe jashtë realitetit politik.

“Deklarimet se ‘herët a vonë, me dëshirë apo me forcë, Kosova do të rikthehet në rendin kushtetues të Serbisë’ janë të papranueshme dhe nuk qëndrojnë mbi asnjë bazë reale”, thekson ai.

Sipas Makollit, Serbia ka dështuar në zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Është e njohur se Serbia nuk ka respektuar marrëveshjet e arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga faktori ndërkombëtar. Përkundrazi, ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të minimizuar pavarësinë e Kosovës dhe për të penguar proceset e saj integruese drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, deklaron ai.

Ai nënvizon se siguria e Kosovës është në nivelin më të lartë historik.

 “Sovraniteti i Kosovës mbrohet nga prania e NATO-s, prandaj vendi nuk ka qenë kurrë më i sigurt në aspektin politik dhe ushtarak”, thotë Makolli.

Në këtë kontekst, ai kërkon reflektim nga lidershipi serb.

“Nomenklatura politike në Serbi duhet të pranojë realitetin në terren dhe ta njohë shtetin e Kosovës. Sa më shpejt të ndodhë kjo, aq më mirë do të jetë për vetë Serbinë, por edhe për stabilitetin rajonal”, shprehet ai.

Makolli e sheh marrëveshjen përfundimtare si të domosdoshme.

“Një marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohje reciproke është e domosdoshme për finalizimin e shtetësisë së Kosovës”, thekson ai.

Ai shton se Kosova duhet të ruajë stabilitetin e brendshëm dhe koordinimin ndërkombëtar.

“Kosova nuk duhet të ketë vakum institucional dhe në arenën ndërkombëtare duhet të veprojë ngushtë me partnerët strategjikë, duke e vendosur përgjegjësinë gjithmonë në palën serbe”, deklaron Makolli.

Në fund, ai thekson rëndësinë e garancive ndërkombëtare.

“Çdo marrëveshje me Serbinë duhet të ketë garanci të Bashkimit Evropian dhe veçanërisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si shtylla kryesore e pavarësisë së Kosovës”, përfundon ai për “Bota sot”.

Të Ngjashme