Mes debateve dhe protestave që kanë shoqëruar investimin në Zvërnec, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar në Facebook pamje nga protesta e zhvilluar kundër projektit, duke përsëritur qëndrimin e tij në mbështetje të investimit.
Përmes një mesazhi, Rama u shpreh se zhvillimi i vendit do të vijojë sipas mandatit që qeveria ka marrë nga qytetarët, duke theksuar se kundërshtimet nuk do të ndryshojnë rrugën e përcaktuar.
“Shqipëria do të bëhet sipas kontratës që kemi lidhur për herën e katërt në majin e shkuar me 800 mijë e kusur shqiptarë, këtu e nëpër botë”, shkruan kreu i qeverisë.
Në reagimin e tij, Rama kritikoi pjesëmarrësit në protestë se po mbajnë peng zhvillimin e vendit përmes, sipas tij, perceptimeve dhe armiqësive të pabazuara. Kryeministri shtoi se protesta kundër investimit në Zvërnec ka humbur tashmë arsyen që e nisi, duke shprehur keqardhje për ata që vazhdojnë ta mbështesin atë.
“Pavarësisht se ça thonë e ça duan këta shqiptarët që e dinë Shqipërinë e dinë pengun e verbërisë së tyre dhe atdhedashurinë podium për të sharë me libër shtëpie tradhtarët e armiqtë imagjinarë të Shqipërisë. Ju uroj një ditë të mbarë me një përqafim të veçantë për ata të mitë që kanë mbetur akoma peng i një proteste të cilës i ka humbur çdo arsye reale e nisjes”, përfundon postimi i Ramës./rtsh/
