Protestat e studentëve dhe nxënësve në Durrës dhe Shkodër janë shoqëruar me tensione dhe përplasje me forcat e policisë, ndërsa situata është përshkallëzuar në të dy qytetet.
Në Durrës, protestuesit janë mbledhur fillimisht para Bashkisë, ku kanë hedhur vezë në drejtim të godinës.
Më pas, situata është tensionuar pranë Postës Shqiptare, ku janë regjistruar përplasje mes protestuesve dhe efektivëve të policisë. Gjatë incidenteve, disa persona janë shoqëruar në polici.
Përveç përplasjeve, janë raportuar edhe dëmtime materiale në ambientet e Postës Shqiptare dhe në disa biznese private.
Ndërkohë, tensione janë regjistruar edhe në Shkodër, ku studentët dhe nxënësit kanë bojkotuar mësimin dhe janë mbledhur në protestë para Bashkisë.
Situata është përshkallëzuar pas arrestimit të disa protestuesve, çka ka bërë që një pjesë e tyre të zhvendosen drejt Komisariatit të Policisë Shkodër, në shenjë mbështetjeje për të arrestuarit.
Pranë komisariatit janë regjistruar përplasje me policinë, gjatë të cilave protestuesit kanë hedhur gurë në drejtim të efektivëve. Si pasojë, është goditur me gurë dhe ka mbetur i plagosur komandanti i Forcave të Rendit, Fasli Rama, raportojnë mediat shqiptare.
Deri më tani, nuk ka informacion të plotë mbi gjendjen shëndetësore të efektivit të plagosur në Shkodër, ndërsa mbetet i paqartë edhe numri i saktë i personave të arrestuar gjatë incidenteve.
Protestat studentore filluan në Tiranë, ku të enjten, në ditën e tretë, ato u shpërndanë edhe në qytetet të tjera të Shqipërisë. Protestuesit po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit shqiptar Edi Rama.
