Lajme

Elvana Shala promovon Kosovën në Forumin Botëror të Ushqimit në Romë, disa shtete shprehin interesim për bashkëpunim

Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC zhvilloi takime me përfaqësues të lartë qeveritarë nga disa shtete, ndërsa në fokus ishin investimet, digjitalizimi dhe mundësitë e bashkëpunimit ekonomik me Kosovën.

Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC, Elvana Shala, po merr pjesë në Forumin Botëror të Ushqimit, që po mbahet në Romë të Italisë, me ftesë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi (FAO).

Gjatë këtij forumi ndërkombëtar, Shala po zhvillon takime dhe bisedime me përfaqësues të lartë qeveritarë, me synimin për të promovuar mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe për të krijuar lidhje të reja ndërmjet Kosovës dhe shteteve të ndryshme.

Në kuadër të Hand-in-Hand Initiative Investment Forum, ajo mori pjesë në diskutimet e nivelit të lartë ministror për potencialin e investimeve në digjitalizim dhe ndikimin e teknologjisë në zhvillimin ekonomik. Në këto diskutime, Shala u angazhua edhe me delegacione nga Amerika Latine, duke trajtuar rëndësinë e inovacionit dhe partneriteteve ndërkombëtare.

Gjatë qëndrimit në Romë, ajo zhvilloi takime me përfaqësues të lartë qeveritarë nga Nepali, Ekuadori dhe Venezuela. Ndër bashkëbiseduesit e saj ishin ministrja e Mjedisit, Pylltarisë dhe Bujqësisë së Nepalit, Gita Chaudry; zëvendësministri i Tregtisë së Jashtme dhe Investimeve i Ekuadorit, Juan Carlos Sánchez; si dhe zëvendësministri i Peshkimit dhe Akuakulturës i Venezuelës, José Gregorio Briceño Azuaje.

Fokusi i këtyre takimeve ishte shqyrtimi i mundësive për bashkëpunim me Kosovën, forcimi i kontakteve ndërkombëtare dhe krijimi i urave të komunikimit me institucionet e shteteve partnere.

Një tjetër moment i rëndësishëm ishte pjesëmarrja në sesionin ku u prezantuan planet e investimeve në sektorin agroushqimor nga Bregu i Fildishtë, Republika Demokratike e Kongos, Malavi, Mozambiku dhe Sierra Leone.

Gjatë këtij sesioni, Shala ngriti çështjen e mundësisë së investimeve nga këto shtete në Kosovë dhe të krijimit të marrëdhënieve të qëndrueshme të bashkëpunimit ekonomik.

Sipas njoftimit, pas diskutimit të saj, interesim për mundësi bashkëpunimi me Kosovën shprehën edhe ministri i Bujqësisë, Mjedisit dhe Peshkimit i Mozambikut, Roberto Mito Albino, si dhe ministri i Bujqësisë dhe Sigurisë Ushqimore i Republikës Demokratike të Kongos, Muhindo Nzangi Butondo.

Në përfundim të bisedimeve, u dakordua që kontaktet të vazhdojnë përmes Ambasadës së Kosovës në Romë, me qëllim të shqyrtimit të mundësive konkrete për bashkëpunim në të ardhmen.

Pjesëmarrja në këtë forum përbën një mundësi për promovimin e Kosovës në një platformë ndërkombëtare, ku diskutohen investimet, siguria ushqimore, inovacioni dhe partneritetet për zhvillim ekonomik.

Image

Të Ngjashme