Deklaratat e një ish-deputeti për praninë e personave të armatosur me bomba gjatë protestave kanë nxitur reagime dhe pikëpyetje lidhur me përgjegjësinë ligjore dhe reagimin e institucioneve të sigurisë në Kosovë.
Në një prononcim pwr ‘Bota sot’, veprimtari dhe analisti Saim Tahiraj e cilëson një deklaratë të tillë si shqetësuese, duke vlerësuar se ajo duhet të trajtohet me seriozitet nga organet kompetente. Sipas tij, deputetët, si përfaqësues të zgjedhur të popullit dhe miratues të ligjeve, duhet të jenë shembull në respektimin dhe zbatimin e tyre.
“Një deklaratë e tillë nga një ish-deputet është më tepër se shqetësuese”, shprehet Tahiraj.
Ai thotë se deklaratat për praninë e personave të armatosur në protesta, pa njoftuar organet e policisë, ngrenë pikëpyetje serioze që kërkojnë hetim institucional.
“Të deklarosh se në protesta ka pasur persona të armatosur me bomba dhe, njëkohësisht, të mos reagosh për t’i njoftuar organet e policisë, të cilat janë të thirrura për zbatimin e ligjit, është çështje që kërkon një hetim serioz nga organet kompetente të Republikës së Kosovës”, thekson ai.
Tahiraj ngre disa pyetje lidhur me rrethanat e pretenduara, duke kërkuar të sqarohet nëse personat në fjalë ishin të njohur për ish-deputetin dhe pse, në rast se këto informacione ishin të sakta, nuk ishte njoftuar policia.

Saim Tahiraj
“Kjo deklaratë ngre shumë pyetje para opinionit publik: Kush ishin ata persona? A i njihnit apo jo? Nëse nuk i njihnit, pse nuk e lajmëruat policinë, duke qenë se keni ushtruar funksionin e deputetit dhe e njihni përgjegjësinë që buron nga ligji?”, pyet Tahiraj.
Ai shton se institucionet duhet të sqarojnë të gjitha rrethanat dhe të përcaktojnë nëse ka pasur përgjegjësi eventuale, duke u mbështetur në prova dhe në ligj.
Sipas Tahirajt, shqetësuese mbetet edhe përshtypja se disa persona, për shkak të ndikimit të tyre politik apo pozitës që kanë pasur, mund të sillen sikur janë mbi ligjin.
“Edhe sot, sikurse në periudhën e luftës dhe pas saj, duket se disa persona që konsiderohen të ‘fuqishëm’ vazhdojnë të sillen sikur mund ta bëjnë ligjin vetë, duke mos respektuar ligjet e miratuara nga vetë institucionet e shtetit”, deklaron ai.
Në këtë kontekst, Tahiraj kërkon që institucionet të dëshmojnë se ligji zbatohet njësoj për të gjithë qytetarët, pavarësisht funksionit, ndikimit apo pozitës politike.
Ai e lidh këtë shqetësim edhe me rastin e Gani Gecit, për të cilin thotë se është arrestuar lidhur me një kërcënim individual dhe është dënuar me 30 ditë burg. Sipas Tahirajt, ky rast ngre pikëpyetje kur krahasohet me pretendimet për një situatë më të rëndë të sigurisë gjatë protestave.
“Nëse, siç pretendohet në deklaratën e ish-deputetit, Kuvendi i Kosovës ishte rrethuar nga demonstrues të armatosur me bomba dhe armë të tjera, madje kishte pasur edhe kërcënime për gjakderdhje ndaj deputetëve, atëherë lind pyetja: Pse nuk pati reagim të qartë dhe të vendosur nga institucionet përkatëse të sigurisë dhe drejtësisë?”, shprehet Tahiraj.
Ai thekson se pretendimet e tilla duhet të shqyrtohen me kujdes nga institucionet përgjegjëse, në mënyrë që të sqarohen rrethanat dhe të përcaktohet nëse ka pasur shkelje të ligjit.
“Kësaj nuk mund t’i thuhet drejtësi nëse ligji zbatohet në mënyrë të pabarabartë. Ky nuk është shteti serioz për të cilin kemi dhënë aq shumë si popull”, vlerëson Tahiraj.
Në fund, ai thekson se barazia para ligjit është një nga parimet themelore të demokracisë dhe se Kosova duhet ta zbatojë këtë parim nëse synon të jetë pjesë e demokracive të përparuara perëndimore.
“Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin dhe askush nuk duhet të jetë i mbrojtur nga përgjegjësia vetëm për shkak të pozitës apo ndikimit të tij”, përfundon Tahiraj.
