Një studente shqiptare nga Maqedonia e Veriut, gjatë një emisioni në Top Channel, ka reaguar ashpër lidhur me çështjen e lejimit të provimeve në gjuhën shqipe në Fakultetin e Drejtësisë. Ajo u shpreh se studentët shqiptarë ndihen të nënvlerësuar dhe të diskriminuar, duke theksuar se kërkesa e tyre lidhet drejtpërdrejt me dinjitetin dhe të drejtat themelore.
“Duan të na poshtërojnë. Të tregojnë që ata janë zot i këtij vendi dhe ne të nënshtrohemi tek ata. Nuk ka shanse që shqiptarët të nënshtrohen në vendin e tyre, ky është vendi ynë. Nuk ka ligj që mund të na nënshtrojë”, u shpreh studentja.
Sipas saj, pavarësisht se vijnë nga fakultete të ndryshme, studentët janë bashkuar për këtë kauzë, duke e konsideruar si një çështje që prek të gjithë komunitetin shqiptar në vend. Ajo theksoi se nuk do të tërhiqen dhe se do të vazhdojnë përpjekjet deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Studentja gjithashtu bëri thirrje për më shumë mbështetje nga Kosova dhe Shqipëria, duke shtuar se kjo do t’i ndihmonte në përballimin e situatës dhe në forcimin e zërit të tyre për barazi.
