Lajme

Protestat studentore në Serbi po hyjnë në një fazë të re

Studentët dhe qytetarët në Serbi janë rikthyer sërish në rrugë, ndërsa pakënaqësia ndaj pushtetit po shndërrohet gjithnjë e më shumë në kërkesë për ndryshime politike dhe institucionale.

Studentët organizuan aksionin “Mos kini frikë, ne jemi ende këtu”, që nisi me homazhe për viktimat e tragjedisë në Novi Sad.

Për shumë protestues, kërkesa për drejtësi pas shembjes së strehës në Stacionin Hekurudhor është kthyer në simbol të luftës kundër korrupsionit dhe pushtetit aktual, duke i dhënë protestave karakter më të gjerë shoqëror dhe politik.

“Çdo hap në rrugët e Beogradit dhe qyteteve të tjera na çon drejt fitores. Presim që studentët të fitojnë”. “Për mua, ndryshimet tashmë kanë nisur. Studentët na kanë çliruar nga frika dhe i kanë bërë njerëzit më të lirë e më të vetëdijshëm”, ka thënë qytetarët.

Sipas analistëve dhe një pjese të opinionit publik, lëvizja studentore ka mobilizuar mijëra qytetarë dhe ka vënë në qendër çështjen e zgjedhjeve dhe përgjegjësisë politike.

Organizatorët thonë se protestat do të vazhdojnë deri në përmbushjen e kërkesave dhe shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Ne kërkojmë zgjedhje dhe besojmë se do të fitojnë ata që luftojnë kundër korrupsionit dhe regjimit që qeveris prej vitesh”, ka thënë studenti nga Beogradi.

Studentët dhe qytetarët paralajmërojnë aksione të reja kundër pushtetit aktual. Në javët e ardhshme planifikohen aktivitete në disa qytete të Serbisë, si dhe mobilizim më i gjerë për protestën e 23 majit në Sheshin “Slavija” në Beograd, që shihet si vazhdim i presionit ndaj pushtetit të Aleksandër Vuçiqit./RTK

Të Ngjashme