Lista Studentore ka dalë fituese në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi, duke lënë pas listën e mbështetur nga presidenti Aleksandar Vuçiq, sipas rezultateve paraprake të publikuara nga Komisioni Republikan i Zgjedhjeve (RIK).
Sipas të dhënave të raportuara më 26 tetor, Lista Studentore ka siguruar 52,71 për qind të votave, që përkthehen në 140 mandate, ndërsa lista e Vuçiqit, “Serbia e Bashkuar”, ka marrë 39,17 për qind të votave dhe 104 mandate.
Ndërkaq, lista e udhëhequr nga Ivica Daçiq ka siguruar 2,17 për qind të votave, duke mbetur pa mandate.
Sipas RIK-ut, rezultatet paraprake janë përpunuar nga 8.187 prej gjithsej 8.392 vendvotimeve. Në këtë fazë të numërimit, janë regjistruar 4.246.513 vota të vlefshme dhe 55.472 fletëvotime të pavlefshme.
Koalicioni Shqiptar në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, të mbajtura më 25 tetor 2026, ka marrë 27.670 vota, ose 0,64% të votave, sipas rezultateve paraprake të Komisionit Republikan të Zgjedhjeve (RIK). Koalicioni ka siguruar 2 mandate në Kuvendin e Serbisë.
Publicisti serb, Zlatoje Martinov, thotë se humbja e Vuçiqit është gjë e mirë.
Por, në anën tjetër sipas tij, ana e keqe e Listës Studentore është se është ideologjikisht shumë heterogjene dhe kjo përbën problem të madh jo vetëm në politikën e jashtme të Serbisë.

Zlatoje Martinov
“Natyrisht që humbja e Vuçiqit në zgjedhje është gjë e mirë. Ai është diktator, populist dhe totalitarist. Serbia është i vetmi vend (përveç Rusisë dhe Bjellorusisë) ku TË GJITHA komunat janë nën pushtetin e Partisë Progresive Serbe (SNS). Nuk ka asnjë të vetme që do të drejtohej nga opozita.
Kjo është, pra, ana e mirë e këtyre zgjedhjeve.
Ana e keqe është se Lista Studentore, nga e cila do të formohet qeveria e re, është ideologjikisht shumë heterogjene. Ky fakt do të jetë një problem i madh jo vetëm në politikën e jashtme të Serbisë, por edhe në qeverisjen e brendshme të saj. Aty ka mjaft nacionalistë, rusofilë dhe antiperëndimorë. Fatkeqësisht, edhe e majta e re serbe është mjaft proruse dhe antievropiane, ashtu si edhe e djathta populiste”, deklaron Martinov për “Bota sot”.
Martinov tregon si fitoi Lista Studentore, që sipas tij, frika është që Vuçiqi u mposht në zgjedhje jo sepse është autoritar dhe populist, por sepse sipas listës fituese ai e “tradhtoi Kosovën”.
“Nuk duhet harruar se Lista Studentore fitoi sepse flirtoi si me të majtën, ashtu edhe me të djathtën dhe qendrën, me Kishën dhe klerikalistët, putinofilët, por edhe me përkrahësit e rrugës së Serbisë drejt BE-së. Megjithatë, kam frikë se me këta të fundit është “flirtuar” më së paku. Madje, në protesta dominonin kryqet, ikonat dhe flamujt pror rusë, ndërsa flamujt e BE-së shtyheshin qëllimisht në plan të dytë, madje edhe ndaloheshin.
Qëllimi kryesor i një Liste Studentore kaq heterogjene ishte i përbashkët: rrëzimi i Vuçiqit. Kjo më kujton shumë kohën e 5 tetorit 2000 dhe rrëzimin e Millosheviqit. Edhe atëherë, 18 parti me orientime shumë të ndryshme politike dhe ideologjike kishin vetëm një qëllim, të cilin e realizuan me sukses: Millosheviqi ra. Por Millosheviqi nuk ra sepse kishte zhvilluar luftëra agresive dhe sepse ishte nacionalist, por sepse nuk kishte fituar në ato luftëra. Kam frikë se Vuçiqi u mposht në zgjedhje jo sepse është autokrat dhe populist, jo sepse nuk i respektoi Marrëveshjen e Brukselit dhe atë të Ohrit me Kosovën, por sepse i pranoi këto marrëveshje, sepse, siç mendon shumica e Listës Studentore, me këtë ai e “tradhtoi Kosovën””, shprehet publicisti.
Martinov kritikon listën fituese rreth intervistës për median ruse, duke thënë se këto janë shenja të këqija, ndonëse ata ende nuk e kanë marrë pushtetin.
“Ditën e dytë pas zgjedhjeve (pra, pardje), dy anëtarë të shquar të Listës Studentore, të cilët me siguri do të jenë ministra të rinj, dhanë intervista jo për The Neë York Times, as për The Guardian, por për Russia Today! Njëri tha se qeveria e ardhshme në asnjë mënyrë nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë, ndërsa tjetri tha, po e citoj: “Qeveria e re do ta respektojë Kushtetutën e Serbisë, në të cilën thuhet se Kosova është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”. Për rrugën evropiane të Serbisë asnjë fjalë!
Këto janë shenja të këqija, ndonëse ata ende nuk e kanë marrë pushtetin.
Mund të shtrojmë pyetjen: në çfarë do të ndryshojë qeveria e re nga ajo e Vuçiqit, kur as ata “nuk e japin Kosovën” dhe nuk e harmonizojnë politikën e jashtme me BE-në, sepse “nuk vendosim sanksione ndaj Rusisë”?”, thekson Martinov.
Në fund, ai nuk pret përparime në dialogun Kosovë- Serbi, gjersa sugjeron që Kosova të përpiqet të bisedojë me asistencën e plotë të BE-së.
“Prandaj, nuk pres përparime të rëndësishme në dialogun Kosovë–Serbi, të paktën nga ana serbe. Jam i bindur se retorika e tyre do të mbetet pak a shumë e njëjtë me atë të Vuçiqit.
Megjithatë, Kosova duhet të përpiqet të bisedojë me qeverinë e ardhshme të Serbisë, dhe këtë me asistencën e plotë të BE-së. Në këtë mënyrë, të paktën, nëse asgjë tjetër, Kosova do të ketë legjitimitet demokratik para bashkësisë ndërkombëtare, pavarësisht nëse “Serbia e re” e pranon këtë bisedim dhe dialog apo e refuzon atë”, përfundon publicisti.
