Lajme

Publikimi i votave në rrjete sociale, Prokuroria aktivizohet në trajtimin e këtyre rasteve

Procesi i votimit jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit ka filluar më 21.05.2026 dhe do të zgjas deri më 06.06.2026.

Më 23.05.2026, KQZ ka njoftuar se mbi 90 mijë votues kanë pranuar pakon e tyre me fletëvotim, me ç’rast është bërë e ditur se votuesit kanë filluar procesin e votimit.

Ndërkohë në platforma të ndryshme të rrjeteve sociale kanë qarkulluar video ku persona të caktuar kanë publikuar votën, e në disa raste edhe kanë votuar më shumë se një herë.

Pas interesimit të Kallxo në lidhje me dyshimet për keqpërdorim të votimit nga diaspora, Sistemi prokurorial ka njofuar se kanë filluar t’i trajtojnë këto raste.ovës.

Përmes një komunikate për media është njoftuar se Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës kanë pranuar informacione se disa qytetarë, kryesisht nga diaspora, kanë fotografuar dhe incizuar votën e tyre dhe e kanë postuar atë në rrjete sociale.

“Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës kanë pranuar informacione se disa qytetarë, kryesisht nga diaspora, gjatë procesit të votimit me postë kanë fotografuar dhe incizuar votën e tyre dhe të njëjtën e kanë postuar nëpër rrjete sociale” – thuhet në njoftimin e Sistemit Prokurorial.

Sistemi prokurorial po ashtu njoftoi se pas pranimit të disa informatave janë identifikuar disa persona dhe janë në proces të verifikimit dhe trajtimit të të gjitha postimeve eventuale.

Pas pranimit të këtyre informatave Prokurori i Shtetit së bashku me Policinë e Kosovës kanë identifikuar disa persona, të cilët kanë kryer veprime të tilla dhe janë në proces të verifikimit dhe trajtimit të të gjitha postimeve eventuale. Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës njofton të gjithë qytetarët se këto veprime do të trajtohen dhe secili prej tyre do të mbahet përgjegjës për veprimet e tyre” – thuhet tutje në njoftim.

Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës kanë ftuar qytetarët të jenë të kujdesshëm që vota e tyre në asnjë formë të mos bëhet publike.

Me këtë rast, këto dy institucione shprehën përkushtimin që në të gjitha fazat e procesit zgjedhor do të veprojnë në kohë, në parandalim dhe trajtim të secilit keqpërdorim të mundshëm.

Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI) i konsideron tejet serioze të gjitha indiciet të cilat mund të cenojnë integritetin e procesit zgjedhor.

Ai tha se nëse vërtetohet se një person mund të ketë plotësuar më shumë se një fletëvotim, një veprim i tillë përbën shkelje të parimeve themelore të votimit të fshehtë, personal dhe të lirë dhe se kjo mund të ndikojë në besueshmërinë e procesit zgjedhor.

Bugaqku gjithashtu tha se para se të nxirret përgjigje definitive është e rëndësishme që institucionet përgjegjëse të verifikojnë autenticitetin e materialeve të publikuara dhe rrethanat konkrete të secilit rast. Çdo dyshim, sipas tij, duhet trajtuar me seriozitet dhe transparencë.

Sa i përket mekanizmave kontrollues të cilët përkujdesen për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, Bugaqku thekson se KQZ dhe organet kompetente duhet të iniciojnë menjëherë verifikimin e rasteve të raportuara duke analizuar materialet video, dokumentacionin përkatës dhe procedurat e ndjekura gjatë votimit.

Ai vlerëson se reagimi i shpejtë institucional është thelbësor për ruajtjen e besimit qytetar në procesin zgjedhor. Nëse konstatohet se kanë ndodhur parregullsi, sipas tij, duhet të ndërmerren masa konkrete përfshirë hetimin e plotë të rasteve të dyshuara, identifikimin e personave përgjegjës si dhe referimin e rasteve tek organet e drejtësisë.

Ndërkohë që procesi zgjedhor jashtë Kosovës ndodh në një atmosferë ndryshe prej procesit që ndodh brenda territorit të Kosovës, Bugaqku vlerëson se votimi jashtë vendit paraqet sfida të veçanta administrative dhe teknike pasi zhvillohet jashtë kontrollit të drejtpërdrejtë territorial të institucioneve të Kosovës.

Ai tha se pavarësisht masave të cilat i ka ndërmarrë KQZ-ja, raportimet e fundit tregojnë se ende ekzistojnë boshllëqe në mekanizmat e kontrollit dhe verifikimit.

“KQZ-ja ka ndërmarrë një sërë masash organizative, megjithatë rastet e raportuara tregojnë se ende ekzistojnë boshllëqe në mekanizmat e kontrollit dhe verifikimit. Prandaj, është e nevojshme që pas përfundimit të procesit të bëhet një vlerësim i plotë institucional për të identifikuar dobësitë dhe për të përmirësuar procedurat për zgjedhjet e ardhshme” – tha Bugaqku.

Megjithëse Bugaqku tha se rastet e raportuara jo domosdoshmërisht pasqyrojnë komprometimin e procesit, ato, sipas tij, tregojnë se mekanizmat ekzistues të mbikëqyrjes dhe verifikimit mund të mos jenë të mjaftueshme për të parandaluar ose identifikuar në kohë reale çdo parregullsi të mundshme.

Ai gjithashtu tha se këto zhvillime duhet të shërbejnë si sinjal për forcimin e kontrollit, rritjen e transparencës dhe avancimin e mekanizmave të integritetit zgjedhor dhe se në këso raste çdo pretendim për manipulim ose keqpërdorim të votës duhet të hetohet pa vonesë.

“Mesazhi kryesor në këso raste është se çdo pretendim për manipulim ose keqpërdorim të votës duhet të hetohet pa vonesë, ndërsa institucionet duhet të garantojnë se çdo votë e ligjshme numërohet dhe se integriteti i procesit zgjedhor mbrohet në çdo fazë të tij” – tha ai.

Pamjet e publikuara të videove në të cilat votues potencial shihen duke treguar se për kë votojnë ngre dyshime keqpërdorimi bazuar edhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës ku në nenin 45, paragrafi 2 thuhet se “vota është personale, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë”.

Gjithashtu sipas Parimeve Themelore te Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës thuhet se “Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës mbahen në bazë të votës së lirë, të përgjithshme, të barabartë, të drejtpërdrejtë dhe të fshehtë në përputhje me këtë ligj dhe rregullat e KQZ-së.”

Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 949 qendra të votimit, me gjithsej 2,550 vendvotime.

Procesi zgjedhor jashtë vendit përveç votimit me postë do të organizohet në 30 përfaqësi diplomatike, prej të cilave 17 ambasada dhe 13 konsullata, me gjithsej 47 vendvotime.

Sllogani i zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit është “Kosova Voton”.

Të Ngjashme