Lajme

Punëtorët e NPB-së protestojnë para Gjykatës Supreme, kërkojnë pagat e papaguara

Punëtorët e Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) kanë paralajmëruar për sot protestë në orën 10:00 para Gjykatës Supreme në Prishtinë, në shenjë pakënaqësie për mosrealizimin e pagave.

Punëtorët kanë mbetur pa paga për gati tre muaj, si pasojë e bllokimit të llogarisë bankare të ndërmarrjes në kuadër të një procedure përmbarimore që lidhet me një kontest gjyqësor.

Sipas NPB-së, bllokimi i llogarisë ka pamundësuar ekzekutimin e pagave për muajt gusht dhe shtator, duke krijuar vështirësi për punëtorët që presin kompensimin për punën e tyre.

Nga ndërmarrja kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë t’i shfrytëzojnë të gjitha mjetet juridike dhe institucionale në dispozicion për mbrojtjen e interesit publik dhe pasurisë publike, duke respektuar njëkohësisht pavarësinë e gjyqësorit.

Situata e krijuar ka vënë në pah pasojat që bllokimi i llogarisë së ndërmarrjes po shkakton te punëtorët, të cilët po kërkojnë zgjidhje për realizimin e pagave të papaguara.

Të Ngjashme