Nga e marta e javës së ardhshme punëtorët teknik të shkollave fillore të Komunës së Prishtinës nuk do të paraqiten fare në vendet e tyre të punës, për shkak të mospagesës së pagave për muajin qershor.
Ky vendim është marrë në mbledhjen e sotme me kryetarët e shoqatave sindikale të punëtorëve teknik të këtyre shkollave.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi tha se nëse edhe të martën nuk realizohen pagesat, atëherë mund të ketë edhe protesta.
“Takimi i sotëm është thirrë sepse në bazë të rekomandimeve dhe në bazë të përgjegjësisë që na e ka dhënë nënkryetari i Komunës me nja pesë-gjashtë bashkëpunëtorë të vetë, na ka thënë që këta punëtorë, sepse kemi kërkuar garancion që paga e muajit qershor kur do të paguhet, ka qenë një fjalë dy-tri herë që është domethënëse që paga më së shumti do të vonohet deri më datën 15 korrik.
Tani kemi informacione që kjo nuk është bërë dhe në njëfarë forme ka telashet të brendshme në Komunën e Prishtinës dhe sipas saj gjasat deri më tani nuk kemi sinjale se do të bëhet pagesa e kësaj muajit qershor, por ne normal që është marrë vendim sot që të pritet deri më të martën e ardhshme dhe nëse nuk do të kemi pagat në llogaritë tona bankare, atëherë që nga e mërkura janë opsionet e dyta: nuk do të lajmërohemi fare në shkolla, nuk do të kryejmë shërbime fare, fare, dhe opsioni tjetër është që do të shkojmë para Komunës dhe të protestojmë për pagat tona”, tha Azemi.
Ai tha se janë lodhur nga kjo situatë, pasi që pagat për këtë punëtorë nuk po merren asnjëherë me kohë.
“Megjithatë jemi të sinqertë, jemi lodhë sepse ka më shumë se një vit që asnjëherë pagat tona nuk i kemi marrë me kohë. Dhe me të drejtë pyeti një punëtore e cila tha: ‘A thua kryetari i Komunës sikur mos t’i kishte marrë dy paga ose më mirë të thirrëmi dy muaj pagat e tyre çka do të ndodhte?’ Unë mendoj që do të ndihej shumë keq, por megjithatë ata kanë para dhe nuk e kanë atë problem.
Paramendojeni ne marrim pagë 390 euro, dhe këtu pagat nuk i kemi marrë që nga muaji maj. Dhe kjo është pyetja: si mund tëjetohet në Kosovë? Normal që të gjitha vendimet do t’i marrim dhe i marrim karshi ligjit mbi organizimin sindikal dhe normal që ne nuk do të kryejmë shërbime më përderisa mos t’i kemi pagat tona në llogaritë tona”, tha Azemi.
Ndërsa, përfaqësuesi i Punëtorëve Teknik të Shkollave, Milaim Sopi u shpreh se pa paga, i vështirësohet jetesa këtyrë punëtorëve teknik, të cilët mirëmbajnë shkollat.
“Po, kërkesat e punëtorëve sot, siç e dëgjuat edhe ju, janë që deri të martën do t’i lutemi komunës edhe një herë. Nëse nuk i qesin pagat, ne do të protestojmë para komunës dhe nuk do të shkojmë fare në vendet tona të punës. Paga është dashur të dalë me datën 15. Kemi pasur një takim, unë si përfaqësues dhe një punëtore e kësaj shkolle, me nënkryetarin e komunës dhe me nja tre-katër veta të tjerë aty që ishin drejtorë. Na kanë premtuar që rrogën do ta marrim me datën 15 korrik sot është data 22 dhe rroga nuk ka.Neve na ka dëmtuar shumë. Së pari, siç e ceki edhe kryetari parëz, jemi në borxhe dhe kemi kredi të papaguara, për të cilat bankat po i thërrasin punëtorët non-stop. Ata po më thërrasin mua, duke thënë: “Bankat na kanë thirrur për t’i paguar kreditë.” Nuk e di, nuk di çfarë të them tjetër”, tha Sopi.
