Ibraim Leimoeiv është turisti tjetër francez që ka qenë bashkë me miqtë e tij në klabin “Principotes”, kur nisi konflikti që çoi në vrasjen e Luis Varela. Ai ka treguar se i pari që i ka sharë ka qenë David Gjana, pavarësisht se nuk e identifikon me emër, dhe më pas ka shkuar Sokrat Vata dhe të tjerët.
“Ishim të gjithë së bashku. Aty ka ardhur një person i cili ishte i veshur me pantallona të shkurtra dhe bluzë me mëngë të shkurtra ngjyrë gri i cili fliste pak frëngjisht. Ai na thotë qetësohuni ose do të q* nenën, ndërsa më pas goditi me kokë shokun tim Tourpal. Ne u përfshimë në konflikt.
Gjatë konfliktit erdhën dhe persona të tjerë dhe kam parë një person i veshur me ngjyrë bezhë në të bardhë me flokë të gjata gështenjë me pak mjekër i cili ju drejtua Tourpalit me thikë dhe më pas ju drejtua Luis Miguel.
Aty ka pasur shumë lëvizje e persona dhe nuk e kam parë momentin kur ka goditur Louis Miguel. Unë më pas i kam dhënë ndihmën e parë shokut tim duke i vendosur një bluzë të plaga”, është shprehur shtetasi francez Ibraim Leimoeiv, mik i viktimës.
Përsa i përket personit të parë që ka nisur konfliktin, nga kryqëzimi me të dhënat publike të shpërndara nga Policia e Shtetit dhe dëshmitë e fragmentarizuara që kanë rrjedhur në media gjatë këtyre ditëve, del se ai është Davit Gjana, një i ri nga Kukësi. Ai mban aktualisht një mbiemër anglez dhe është shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit.
“Pyetjes se a e njeh personi I cili goditi me thikë, ai u përgjigj që nëse e shikon mund ta dallojë dhe pasi i është vënë përpara fotoja e shtetasit Sokrat Vata, ai e ka njohur dhe ka deklaruar se ky ishte personi që kishte thikën dhe kishte goditur shokun e tij”, thuhet në dosje, siguruar nga Klodiana Lala.
Sipas grupit hetimor, nga veprimet hetimore rezulton se:
Në orën 05:15, të datës 18.08.2026, në ambientet e lokalit “Principote” dhe më pas në plazhin e lokalit “Paradise”, në Ksamil, gjatë një konflikti midis disa personave, shtetasi Sokrat Lipan, alias Sokrat Vata, dyshohet se ka goditur me mjet prerës (thikë) disa herë në trup shtetasin e huaj portugez Luis Mendes, 20 vjeç. Po në të njëjtën kohë, edhe shtetasi David Heurtevent, (David Gjana) tashmë i shpallur në kërkim, e ka goditur me grushte 20-vjeçarin. Të dy këta shtetas akuzohen për vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim.
