Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Qëndroi i hipur në pemë përgjatë natës, 10-vjeçari i shpëton përmbytjeve në Spanjë

Një fëmijë i ka mbijetuar përmbytjeve vdekjeprurëse në Spanjë duke u ngjitur në një pemë dhe ka ndenjur i kapur pas saj për gjithë natën.

Autoritetet thonë se makina me familjarët e tij u përfshi nga rrjedha e lumit ndërsa babai ende nuk gjendet.

10-vjeçari po merr mjekim për hipoterminë.

Familja nga një zonë rurale e Madridit jugperëndimor po përpiqej t’i shpëtonte përmbytjes kur uji mori me vete makinën. “Djali i gjorë e kaloi gjithë natën hipur në pemë”, tha kryetarja e rajonit të Madridit, Isabel Diaz Ayuso.
Nëna dhe motra e tij janë gjetur, por ekipet e shpëtimit janë ende në kërkim të babait. Ky i fundit është një prej tre personave të raportuar të humbur, ndërsa tre të tjerë kanë humbur jetën.

Shërbimi meteorologjik thotë se janë regjistruar shifra rekord në reshjet e shiut gjatë së dielës, 90 litra për metër katror. Urat janë prishur dhe rrugët janë kthyer në lumenj balte.

Banorët në zonat e prekura u lajmëruan me një mesazh emergjence dhe një alarm për stuhinë e ditës së diel, që shënoi edhe herën e parë të përdorimit të këtij sistemi.

Spanja dhe Europa jugore përjetuan valën e të nxehtit gjatë verës. Shkencëtarët kanë paralajmëruar se ngrohja globale do të shtojë avullimin e ujit gjatë verës dhe do të sjellë më shumë stuhi të forta./tvklan.al