Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Qeveria lokale në Sarajevë shpall gjendje alarmi për shkak të ndotjes së ajrit

Pushteti lokal në Sarajevë ka shpallur gjendje alarmi të enjten, pasi kryeqyteti i Bosnjë e Hercegovinës është njëri ndër qytetet më të ndotura në botë në ditët e fundit, sipas parashikuesit të cilësisë së ajrit, AirVisual.

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, u rendit në vendin e 11-të si qyteti më i ndotur në botë të enjten, sipas AirVisual.

Vetëm Lahores në Pakistan dhe Nju Delhi në Indi ishin dy qytetet më të ndotura se Sarajeva në gjithë botën mëngjesin e së enjtes. Kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut, Shkupi, është renditur si vendi i nëntë më i ndotur në botë të enjten.

Indeksi i ndotjes së ajrit në kryeqytetin e Bosnjë-Hercegovinës ishte 290 dhe ishte në një nivel që tregon ajër shumë të pashëndetshëm.

Problemi më i madh është përqendrimi i mikrogrimcave të rrezikshme të pluhurit prej PM 2.5, pasi në ajër kishte 245 mikrogramë për metër kub, që është 49 herë më shumë se sasia e toleruar nga standardet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Një përqendrim i tillë i këtyre grimcave të pluhurit kategorizohet si i rrezikshëm për shëndetin.

Për shkak të gjendjes alarmante të ndotjes së ajrit dhe rekomandimeve fillestare për banorët që të qëndrojnë sa më pak jashtë, Qeveria e Kantonit të Sarajevës shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për katër komunat që përbëjnë qytetin e Sarajevës, raporton REL.

Kjo do të thotë ndalim i qarkullimit nëpër qytet për automjetet me motorë EURO 3 dhe, kur është e mundur, mbylljen e të gjitha objekteve që ndotin ajrin duke emetuar pluhur.

Shkalla e lartë e përqendrimit të substancave të dëmshme në Sarajevë favorizohet nga kushtet e motit në të cilat ndodhin përmbysje të temperaturave, pasi temperaturat në trevat e ulëta janë dukshëm më të ulëta se ato në malet përreth, gjë që krijon një mbulesë të trashë mjegulle mbi qytet, ku mungon era për shpërndarjen e saj.

Meteorologët kanë parashikuar se ditën e premte pritet një erë pak më e fortë me reshje shiu, e cila duhet të favorizojë përmirësimin e cilësisë së ajrit.