Aktuale

T*afikimi i të miturës në Shkodër, Prokuroria apel mediave: Të mbrohet identiteti dhe dinjiteti i saj

Prokuroria e Shkodrës u ka bërë thirrje mediave audiovizive, portaleve dhe mediave të shkruara që të ruajnë identitetin dhe dinjitetin e një të miture, viktimë e një rasti të dyshuar trafikimi, për të cilin po hetohet në kuadër të procedimit penal nr. 1646/2026.

Përmes një njoftimi zyrtar, Prokuroria kërkon shmangien e publikimit apo ripublikimit të çdo informacioni, fotografie, pamjeje apo detaji që mundëson identifikimin e të miturës ose të familjarëve të saj. Gjithashtu, u kërkohet mediave të mos publikojnë të dhëna sensitive që lidhen me jetën dhe rrethanat e saj personale.

Prokuroria kërkon edhe ndalimin e shpërndarjes së mëtejshme dhe heqjen e menjëhershme të materialeve të publikuara që përmbajnë informacione denigruese, stigmatizuese apo që cenojnë privatësinë dhe dinjitetin e të miturës dhe familjes së saj.Në reagimin e saj, Prokuroria thekson se mbrojtja e identitetit të viktimave të mitura mbështetet në Kushtetutën e Shqipërisë, ligjin për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës, Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur dhe Konventën e OKB-së për të Drejtat e Fëmijës.

Ad
Sipas institucionit, ekspozimi mediatik i një viktime të mitur trafikimi mund të shkaktojë viktimizim të mëtejshëm dhe të dëmtojë procesin e rikuperimit dhe riintegrimit të saj.

Në përfundim, Prokuroria e Shkodrës thekson se mbrojtja e identitetit dhe dinjitetit të viktimës nuk është vetëm detyrim ligjor, por edhe përgjegjësi etike dhe njerëzore, duke falënderuar mediat për mirëkuptimin dhe respektimin e interesit më të lartë të fëmijës.

Të Ngjashme