Aktuale

Fundjava sjell përmbysje të motit, rrebeshe shiu dhe dëborë në disa qytete, ja zonat më të rrezikuara

Reshjet e shiut do të vijojnë të jenë të pranishme në vendin tonë edhe gjatë fundjavës, ndërsa në disa zona pritet të shoqërohen me intensitet të lartë. Paralelisht, një masë ajrore e ftohtë që zbret nga verilindja e Europës do të sjellë rënie të ndjeshme të temperaturave dhe rikthimin e reshjeve të dëborës.

Në një intervistë televizive, meteorologu Hakil Osmani bëri të ditur se reshjet do të përqendrohen kryesisht në jug të vendit, veçanërisht në qarqet Berat, Gjirokastër dhe Vlorë, ku priten rrebeshe të herëpashershme me intensitet të lartë. Reshje do të ketë edhe në zonat qendrore dhe veriore, por me intensitet më të ulët.

Osmani paralajmëroi se, për shkak të reshjeve të vazhdueshme, ekziston mundësia e vërshimeve të përkohshme dhe përmbytjeve lokale në disa qytete, përfshirë Shkodrën, Lezhën, Durrësin, Tiranën dhe Elbasanin. Megjithatë, sipas tij, nuk priten përmbytje masive, pasi rrebeshet intensive do të zgjasin në intervale të shkurtra kohore.

Ndryshimi i motit do të bëhet më i ndjeshëm gjatë fundjavës. Sipas meteorologut, reshjet e dëborës do të rikthehen të shtunën në mbrëmje në zonat verilindore, ndërsa në orët e para të mëngjesit të së dielës do të përfshijnë edhe juglindjen e vendit. Dëbora pritet të jetë kryesisht me intensitet të ulët dhe në zonat e thella malore, por nuk përjashtohet prekja e disa qyteteve malore.

Sa u përket temperaturave, të dielën minimumet në zonat malore pritet të zbresin në -1 deri në -2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet në rang vendi nuk do të kalojnë 16 gradë Celsius. Në ditët në vijim, temperaturat minimale në zonat malore mund të zbresin deri në -4 apo -5 gradë Celsius.

Meteorologu veçoi qarqet e Kukësit, Pukës dhe zonën e Bajram Currit si ndër më të favorshmet për reshje dëbore gjatë fundjavës. Mundësi për reshje të pakta dëbore në orët e natës dhe mëngjesit të së dielës ka edhe në qytetin e Korçës.Ndërkohë, për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut pritet që masa e ftohtë ajrore të mbërrijë më herët, duke sjellë reshje dëbore më të pranishme dhe me intensitet disi më të lartë.

Sipas Osmanit, përmirësimi i kushteve atmosferike pritet gjatë pjesës së dytë të së dielës, kur reshjet do të ndërpriten në pjesën më të madhe të territorit. Edhe java e parë e dhjetorit parashikohet të karakterizohet nga mot i qëndrueshëm dhe intervale me diell, por me temperatura ndjeshëm më të ulëta.

Hakil Osmani: Në fakt zonat të cilat kanë pasur reshje më të konsiderueshme përgjatë 24 orëve të fundit kanë qenë kryesisht zonat, si fillim në zonat veriperëndimore, qarku i Shkodrës, i Lezhës dhe më pas ky sistem ka udhëtuar edhe në pjesën tjetër të ultësirës perëndimore, duke prekur pastaj rrebeshe herë pas here edhe intensive kryeqytetin, Durrësin dhe kanë shkuar edhe deri në zonat jugore, në qarkun e Gjirokastrës dhe të Vlorës. Por jo vetëm 24 orët që lashë pas do t’i ketë prezentë rrebeshet e shiut, pritet që edhe ditën e sotme herë pas here të kemi prezentë rrebeshe të cilat më të fokusuara mbeten kryesisht në zonat jugore dhe pjesërisht në zonat qendrore, disi më të pakta paraqiten gjatë mesditës së sotme reshjet në zonat veriore. Por sërish do të kemi riaktivizim të tyre gjatë orëve të mbrëmjes, do të kemi prezentë në gjysmën lindore reshje me intensitet edhe të larta.

Por jo vetëm mbrëmja e ditës së sotme, edhe përgjatë fundjavës, dita e shtunë do të sjellë prezentë rrebeshe të shiut me intensitete edhe të larta në zonat të cilat pritet të jenë më të fokusuara këto rrebeshe intensive, do të jenë në zonat jugore, në qytete si Berati, Gjirokastra, po ashtu Vlora, Saranda pritet që herë pas here të kenë prezentë rrebeshe të shiut edhe me intensitete të larta. Disi me reshje pak me intensitet më të ulët paraqiten në zonat veriore dhe në zonat qendrore ku vetëm herë pas here kemi këto në intervale të shkurtra kohore rrebeshet e përkohshme të shiut. Por kjo fundjavë,në fakt duke qenë se territori shqiptar prej disa ditësh ka qenë në mbizotërimin e motit të paqëndrueshëm duke bërë që të kemi prezentë rrebeshe të shiut herë pas here edhe në formën e rrebesheve, sigurisht që mundësia për të pasur herë pas here këto përmbytje të përkohshme dhe lokale në qytetet e perëndimit ekziston, duke përfshirë këtu qytete si Shkodra, Lezha, pritet që vetëm në zona të izoluara herë pas here të kemi vërshime të përkohshme të ujit nëpër qytet.

Por jo vetëm, edhe në zonat qendrore duke përfshirë këtu Durrësin, pjesërisht rrethinat e kryeqytetit edhe të Elbasanit. Por jo vetëm, edhe zonat jugore herë pas here, duke qenë se aty në ditët në vazhdim me reshje pritet që të jenë disi më të larta intensitetet, në qytetin dhe në qarkun e Gjirokastrës, në qarkun e Vlorës, pritet që herë pas here t’i kemi prezentë, por nuk bëhet fjalë për përmbytje të cilat të jenë masive dhe të sjellin dëme kolosale të cilat herë pas here ne i kemi parë në territorin shqiptar që ka pasur rrebeshe intensive. Në fakt qyteti i Durrësit, siç e thatë edhe ju, ka një histori të keqe për sa i përket rrebesheve kur kemi prezentë dhe janë në formë intensive. Për fat të mirë pritet që reshjet të jenë prezentë por jo për një periudhë të gjatë të jenë me intensitete të larta, duke bërë që mundësia për përmbytje të jetë krejt lokale dhe në zona të izoluara.

Të Ngjashme