Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Qindra emigrantë shpëtohen në Ishujt Kanarie

Zyrtarët spanjollë kanë bërë të ditur se të paktën 227 emigrantë u shpëtuan pranë ishujve Kanarie të Spanjës, një ditë pasi u raportua për vdekjen e më shumë se 30 emigrantëve në këtë zonë.

Shërbimet e urgjencës thanë se emigrantët po udhëtonin me gomone pranë ishujve Lanzarote dhe Gran Kanaria në Atlantik.

Një numër prej tyre u dërguan në spital për t’u trajtuar për lëndime joserioze

Më 22 qershor, dy organizata bamirëse thanë se më shumë se 30 emigrantë mund të jnë mbytur pasi gomonia e tyre u fundos në Gran Kanaria.

Autoritetet spanjolle thanë se ekipet e shpëtimit i gjetën trupat e një të mituri dhe një burri, si dhe shpëtuan edhe 24 persona të tjerë

Megjithatë, organizatat bamirëse, Walking Borders dhe Alarm Phone, thanë se rreth 60 njerëz kishin qenë në gomonet e fundosura.

Helena Maleno Garzon, nga Walking Borders, tha se 39 persona ishin fundosur, përfshirë katër gra dhe një foshnje. Ndërsa, Alarm Phone tha se 35 persona ishin të zhdukur.

Të dy këto organizata monitorojnë barkat me të cilat udhëtojnë emigrantët dhe komunikojnë me pasagjerët e tyre apo të afërmit e tyre.

Një anije shpëtimi spanjolle, Gardamar Caliope, ishte vetëm rreth një orë larg nga gomonia kur ajo u fundos më 20 qershor, sipas agjencisë spanjolle të lajmeve Efe.

Por, anija nuk e ndihmoi gomonen sepse operacioni ishte marrë përsipër nga zyrtarët marokenë, të cilët dërguan një barkë patrullimi që mbërriti të mërkurën në mëngjes, dhjetë orë pasi ishte gomonia ishte vërejtur nga një aeroplan shpëtues spanjoll, sipas Reuters.

Ministria e Brendshme e Marokut nuk u është përgjigjur pyetjeve të transmetuesit publik britanik BBC lidhur me këtë temë.

Angel Victor Torres, udhëheqësi i rajonit të Ishujve Kanarie, e përshkroi incidentin si një “tragjedi” dhe i bëri thirrje Bashkimit Evropian të krijojë një politikë migracioni që “ofron reagim të koordinuar” për çështjen e migrimit.

Edhe pse pranë bregut perëndimor të Afrikës, Ishujt Kanarie janë pjesë e Spanjës dhe shumë emigrantë udhëtojnë nga Afrika në këtë arkipelag me shpresën për të shkuar në Evropën kontinentale.

Rruga e migrimit Afrikë Perëndimore-Atlantik konsiderohet si një nga më vdekjeprurësit në botë. Të paktën 543 migrantë vdiqën ose u zhdukën gjatë udhëtimit në këtë zonë në vitin 2022, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Migracionit (IOM) të OKB-së.

IOM-ja kishte thënë se 45 anije ishin fundosur atë vit, por kishte shtuar se shifra reale mund të jetë më e madhe sepse të dhënat janë të pakta dhe të paplota.

Transportimi i migrantëve të shpëtuar nga anija që u fundos rreth 80 km në jug

Shumica e emigrantëve janë nga Maroku, Mali, Senegali, Bregu i Fildishtë dhe pjesë të tjera të Afrikës Sub-Sahariane, sipas IOM-së.

Javën e kaluar, një barkë me qindra emigrantë u fundos në brigjet greke, me të paktën 78 të vdekur. Dyshohet se numri i viktimave është edhe më i madh, pasi që zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut thotë se rreth 500 persona janë ende të zhdukur./rel