Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Rama e Plenkoviç kërkojnë masa ndaj Serbisë pas sulmit terrorist në veri

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç ka dënuar sulmin nga një grup terrorist serb në veri të Kosovës ku mbeti i vrarë një punonjës i Policisë së Kosovës.

Në një konferencë shtypi nga Zagrebi në krah të Kryeministrit Edi Rama i cili po zhvillon një vizitë zyrtare aty, Plenkoviç u shpreh se ky sulm nuk ka ndodhur rëstësisht dhe kjo u duk nga numri i madh i armatimit.

“Kroacia e dënon me forcë vrasjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës nga grupe të armatosura që kanë qenë të armatosur në formë të tillë që këtu bëhet fjalë për operacion të planifikuar. Nuk është diçka që ka ndodhur rastësisht. Kjo ngjarje është sinjal i fortë që tregojnë se ka forca që duan të destabilizojnë Kosovën, situatën në hapësirën e Europës Juglindore”.

Kryeministri kroat bëri thirrje gjithashtu që komuniteti ndërkombëtar të reagojë me forcë dhe vendosmëri ndaj Serbisë, si dhe të mbështesë institucionet e Kosovës. Plankoviç foli edhe për masa të Bashkimit Europian ndaj Serbisë, që mund të jenë në të njëjtin nivel me masat e marra ndaj Kosovës disa muaj më parë.

“Gjithashtu reagimi i komunitetit ndërkombëtar duhet të jetë i qartë dhe i fortë dhe duhet të përkrahin institucionet e Kosovës dhe nga ana tjetër duhet të bëjmë përpjekje për të parandaluar çdo lloj eskalimi të gjendjes. Bëhet fjalë për masat që KE mund t’i ndërmarrë. Bëhet fjalë për disa prej programeve të BE dhe masa të tilla janë ndërmarrë edhe ndaj Kosovës para disa muajsh”, tha ai.

Edhe Kryeministri Edi Rama përsëriti qëndrimin e tij që vrasja e policit të Kosovës dhe mbajtja e zisë në Serbi për grupin terrorist, janë të dënueshme.

“Këtu nuk bëhet fjalë për masa, të cilat do të marrin miratimin e të gjitha vendeve anëtare, këtu bëhet fjalë për masa simetrike minimumi në raport me ato që janë marrë më parë për Kosovën, të cilat duhet të merren dhe për Serbinë, minimumi. Nëse nuk ka konsensus për të bërë më shumë në nivelin e Këshillit Evropian, ka programe, ka marrëdhënie, të cilat përdoren për të thënë “Stop, stop” dhe në asnjë mënyrë nuk mund të pranohet që në mes të Evropës dhe në mes të një rajoni, ku të gjithë kanë dëshirën që të bëhen pjesë e BE-së, ku një grup kriminal me uniforma ilegale t’i marrë jetën një efektivi police dhe pastaj t’i gëzohet nderit më të lartë që mund të ekzistojë, zisë kombëtare në vendin ku ka origjinën, kjo është e papranueshme dhe e dënueshme”, tha Rama./tvklan/

Tags: