Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e ka “thumbuar” kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, pas deklaratave të mbrëmshme të tij në një intervistë.
Rama me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka thënë se Kurti ka, siç u shpreh ai, deficit politik dhe s’ka asnjë kontribut në luftën çlirimtare e ndërtimin e institucioneve, shkruan Insajderi.
“Prandaj, në vazhdimësi përpiqet ta mbulojë këtë mungesë me propagandë, duke sulmuar figurat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si “hajna” e “kriminelë” dhe, me ligësinë më të madhe, duke tentuar që familjet më të mëdha atdhetare t’i bëjë pjesë të diskursit të fushatës”, deklaroi Rama.
“Për gjashtë vjet në pushtet, e ka zhytur vendin në varfëri dhe stagnim. Pa ASNJË projekt madhor, pa zhvillim kapital dhe pa ASNJË rezultat konkret. ASNJË. ZERO”, vijon ai.
Rama i ka quajtur “filma propagandistikë të kohës së komunizmit” veprimet elektorale të Kurtit.
“Të shohim me çfarë do të vendosë ta vazhdojë fushatën: me ndonjë kërcënime për jetë! Me ndonjë premtim për mërgatën! Apo me një tjetër episod patriotik propagandues me Serbinë”, tha më tej ai.
