Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se Ballkani Perëndimor dhe Evropa ndodhen në një moment vendimtar, duke theksuar rëndësinë e Planit të Rritjes, integrimit gradual në Bashkimin Evropian dhe përshpejtimit të reformave në vendet e rajonit.
Në Samitin e Ballkanit Perëndimor që po mbahet sot në Tiranë, kryeministri Rama tha se qasja e re e integrimit evropian lidh angazhimet politike me investimet, rezultatet dhe qasjen në treg.
“Mblidhemi këtu për Planin e Rritjes, në një takim që vlen për të vlerësuar progresin dhe për të parë sfidat që kemi përpara. Nuk ka dyshim se ky është një moment vendimtar për Ballkanin Perëndimor. Nuk ka aspak dyshim se është një moment tejet vendimtar edhe për Evropën. Ne kemi qenë entuziastë për nisjen e këtij procesi të ri, që në njëfarë mënyre vuri në lëvizje qasjen e re të integrimit gradual dhe që na mbledh bashkë në tri dimensione, reformat, konvergjenca ekonomike dhe kohezioni rajonal. Ai lidh angazhimet politike me investime, rezultate, hyrje në treg”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se, pavarësisht progresit të arritur në afrimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në, mbetet ende shumë punë për t’u bërë.
Ai nënvizoi se qytetarët dhe bizneset e rajonit nuk duhet të presin anëtarësimin në BE për të përfituar nga mundësitë që ofron tregu evropian.
“Na duhet të themi se vitet e fundit konvergjenca mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së është rritur. Megjithatë, ka ende shumë rrugë përpara për të bërë. Ne të gjithë kemi qenë avokat të idesë se qytetarët tanë s’duhet të presin për të përfituar nga mundësi më të mira, bizneset tona nuk duhet të presin, që të përfitojnë e të bëhen pjesë e zinxhirëve dhe vlerës së BE-së. Qytetarët tanë duhet të përfitojnë që tani, gradualisht, të drejtat që gëzojnë qytetarët e BE-së. Jemi të vetëdijshëm se asgjë nuk është e mirëqenë dhe se BE-ja është po aq e prirur të na ndihmojë, sa ç’është e prirur të na bjerë me çekiç kokës që të japim rezultate dhe reforma. Është një marrëdhënie ku progresi sjell më shumë pjesëmarrje dhe gatishmëria sjell më shumë mundësi”, tha Rama.
Në fokus të samitit janë procesi i integrimit evropian, reformat dhe konvergjenca ekonomike mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
Në raportin e publikuar më 4 nëntor, Komisioni Evropian e rendit Shqipërinë ndër vendet më të avancuara në procesin e zgjerimit, pas Malit të Zi. Shqipëria ka hapur të gjithë 33 kapitujt e negociatave dhe ka mbyllur përkohësisht katër prej tyre. Brukseli e quan objektivin për përfundimin e negociatave në vitin 2027 ambicioz, por të arritshëm, me kusht që të vazhdojnë reformat dhe dialogu politik.
Anëtarësimi në BE bazohet në nenin 49 të Traktatit mbi Bashkimin Evropian, sipas të cilit çdo shtet evropian që respekton vlerat e Bashkimit dhe angazhohet t’i promovojë ato mund të kërkojë të bëhet anëtar.
Shqipëria paraqiti kërkesën për anëtarësim në BE më 28 prill 2009 dhe fitoi statusin e vendit kandidat në qershor 2014. Më 25 mars 2020, Këshilli i BE-së vendosi hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, ndërsa konferenca e parë ndërqeveritare, e mbajtur më 19 korrik 2022, shënoi hapjen zyrtare të negociatave, raporton KosovaPress.
