Lajme

Rama publikon pamje nga projekti i aksit Milot-Balldren: Hap i rëndësishëm për zhvillimin e veriut

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar pamje nga projekti i aksit rrugor Milot-Balldren, duke e cilësuar nisjen e punimeve si një zhvillim të rëndësishëm për veriun e vendit.
Përmes një postimi në Facebook, Rama ndau disa fotografi nga projekti dhe vlerësoi ndikimin që pritet të ketë kjo vepër infrastrukturore në zhvillimin ekonomik dhe turistik të rajonit.

“Për Shkodrën, Lezhën dhe gjithë veriun, nisja e punës për aksin Milot–Balldren është një hap shumë i rëndësishëm për zhvillimin e zonës”, shkroi kryeministri.
Sipas tij, realizimi i këtij projekti do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e qarkullimit dhe sigurisë në rrugë, duke krijuar gjithashtu mundësi të reja për zhvillimin ekonomik.

“Ky projekt do të lehtësojë lëvizjen, do të rrisë sigurinë rrugore dhe do t’i japë një shtysë të re turizmit, biznesit dhe ekonomisë në Shkodër, Lezhë dhe gjithë veriun e vendit”, theksoi Rama.

Aksi Milot-Balldren konsiderohet një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në veri të Shqipërisë, me synimin për të përmirësuar lidhjet rrugore dhe për të mbështetur zhvillimin ekonomik të zonave që përshkon.

Të Ngjashme