Lajme

Rama publikon projektin për Zvërnecin: Nuk sheh syri, sheh mendja…

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale projektin e ri turistik që parashikohet të ndërtohet në zonën e Zvërnecit.

Kreu i qeverisë u ka kthyer përgjigje polemikave dhe protestave të qytetarëve, duke i cilësuar reagimet negative si pjesë të një “lufta hibride” dhe manipulimi në rrjetet sociale.

“Nuk sheh syri sheh mendja. Dy projekte të realizuara tanimë nga fiks bashkëinvestitorët e projektit që ka tronditur armiq të Shqipërisë Europiane, konkurentë të Shqipërisë Turistike, shqiptarë të verbër që po përdoren si vegla qorre kundër Shqipërisë. Po edhe shqiptarë të ndershëm e të ndjeshëm ndaj mjedisit, të cilët fatkeqësisht janë manipuluar nga lufta hibride që po zhvillohet egërsisht në rrjetet sociale nga armiqtë e vendit e tonë.“

Rama ka mbrojtur investitorët, duke zbuluar se bëhet fjalë për dy vëllezër nga Katari dhe bashkëpronarë të konglomeratit global “Power Holding”, të cilët e kanë blerë truallin privat përmes transaksioneve të certifikuara bankare.

Ai theksoi se ky projekt përfaqëson një zhvillim në harmoni të plotë me natyrën, ashtu si dy ishujt e realizuar më parë nga e njëjta kompani.

“Kështu, siç e tregojnë këta dy ishuj në foto, e kuptojnë zhvillimin në harmoni me natyrën ata që sot janë blerësit legjitimë të truallit privat në Zvërnec, dy vëllezërit e famshëm nga Katari që e kanë paguar pronën me transaksione bankare të çertifikuara nga institucionet shqiptare e ndërkombëtare, si edhe bashkëpronarë të konglomeratit global Poëer Holding, një fuqi e madhe sipërmarrëse jo vetëm në Lindjen e Mesme, po edhe më gjerë.

Kush do të njihet me aktivitetin e tyre dhe të mësojë më shumë edhe për dy zhvillimet e bukura të postuara këtu, le të klikojë powerholding.com që të kuptojë se kush po vjen në këtë Shqipëri të rilindur ndërkombëtarisht, e pse s’mund të vijë kurrë dot për të prishur po vetëm për të lartësuar.“

Në mbyllje të reagimit të tij, kryeministri bëri një paralizëm me skeptikët e Stadiumit Kombëtar, duke u shprehur i bindur se ky investim vetëm do ta lartësojë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.

Ndërsa kush nuk do të dëgjojë e të kuptojë, do duhet të presë si ata që ishin kundër stadiumit kombëtar, e pastaj panë finalen europiane në Tiranë duke bërë selfije me stadiumin”, ka shkruar Rama.

Të Ngjashme