Lajme

Rama: Shqetësimi për natyrën i drejtë, por jo kur kthehet në kauzë pa argumente

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me protestat e qytetarëve kundër planeve të investimeve në Zvërnec dhe Sazan, duke theksuar se shqetësimet e tyre për natyrën janë të kuptueshme, por sipas tij nuk duhet të shkëputen nga faktet dhe debati institucional.

Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Rama u shpreh se ka “simpati të sinqertë” për qytetarët që, sipas tij, janë përfshirë në protestë nga shqetësimi për mjedisin, duke shtuar se forma e demonstrimit, përfshirë simbolikën e flamingove rozë, i jep një “estetikë” protestës.

Megjithatë, kryeministri kritikoi atë që e cilësoi si shndërrim të protestës në një “demonstrim politik të varfër në ide dhe argumente”, duke shtuar se ajo është shoqëruar edhe me “bullizëm rrugor dhe digjital”.

Rama theksoi se problemi, sipas tij, nuk qëndron te shqetësimi për natyrën, por te mungesa e gatishmërisë për dialog dhe bashkëpunim me institucionet dhe ekspertët, duke shtuar se në këtë mënyrë protestuesit rrezikojnë të ndikohen nga “dezinformimi dhe narrativat konspirative”.

“Flamingot nuk e humbasin bukurinë e tyre nëse angazhohen në diskutimin e dobishëm për të ardhmen e zonës”, u shpreh Rama, ndërsa bëri dallim mes protestuesve dhe aktorëve që sipas tij “shfrytëzojnë zhurmën dhe polarizimin”.

Në vijim të reagimit të tij, kryeministri iu referua edhe shprehjes “rruga për në ferr është e shtruar me qëllime të mira”, duke theksuar se historia tregon se qëllimet e mira nuk mjaftojnë nëse nuk shoqërohen me fakte, arsye dhe dialog.

Sipas Ramës, çdo kauzë publike rrezikon të deformohet nëse shkëputet nga realiteti dhe shndërrohet në dogmë, duke theksuar nevojën për bashkëpunim institucional në vend të përplasjes.

Postimi i plotë:

RRUGA PËR NË FERR ËSHTË E SHTRUAR ME QËLLIME TË MIRA, thotë një fjalë shumë e moçme, dhe ka një arsye pse kjo shprehje ka mbijetuar për shekuj.

Ajo nuk i zhvlerëson qëllimet e mira. Përkundrazi. Qëllimet e mira janë A-ja e domosdoshme për krejt alfabetin e etikës së angazhimit publik. Por rruga e njerëzimit na mëson se qëllimet e mira assesi nuk mjaftojnë. Përkundrazi.

Historia është plot me zhvillime të nisura me sloganet më fisnike dhe emocionet më të sinqerta, por të përfunduara në intolerancë, fanatizëm apo shkatërrim, si rezultat i këputjes së lidhjes së perceptimit me realitetin, imagjinatës me faktet dhe shqetësimit me arsyen.

Prandaj nëse qëllimet e mira nuk i nënshtrohen provës së fakteve, nëse pasioni për ndryshim nuk drejtohet nga arsyeja dhe nëse bindjet e forta nuk shoqërohen me dëshirën për të dëgjuar, distanca mes mbrojtjes së një parimi, një qëllimi apo një kauze dhe shndërrimit të tyre në dogmë përjashtuese bëhet shumë e shkurtër. Dhe mu kështu, rruga për në ferr nuk shtrohet me qëllime të këqija, por me qëllime të mira që nuk pranojnë të maten me realitetin.

Unë kam simpati të sinqertë për këdo që në këtë protestë hyri nga alarmi i natyrës në rrezik. Madje kjo formë estetike e demonstrimit, me siluetat e flamingove rozë, më gëzon me hijeshinë që përndryshe do t’i mungonte një proteste qytetare për natyrën të kthyer ngutshëm në një demonstrim politik të skamur në ide, të varfër në argumenta, të degraduar në fjalor dhe të shëmtuar në bullizmin e tij rrugor apo digjital ndaj kujtdo që mendon ndryshe.

Por pikërisht kjo fotografi e bukur, më rikthen tek fjala e urtë e fillimit dhe “rruga e ferrit”.

Sepse problemi nuk janë flamingot. Qëllimi i tyre është i mirë. Problemi është se flamingot nuk pranojnë të dëgjojnë faktet, të diskutojnë zgjidhjet dhe të bashkërendojnë forcat me institucionet dhe me burimet serioze të ekspertizës, për të mbrojtur gjithçka duhet duke realizuar projektin e duhur. Kësisoj ata bëhen vegla e sorrave dhe korbave që i kanë rrethuar.

Unë i kam dëgjuar flamingot dhe i kuptoj ata. E respektoj pa paragjykim shqetësimin e tyre, pikërisht sepse ka qenë gjithnjë edhe i imi. Ajo që nuk arrij të kuptoj është pse flamingot nuk duan të ndahen nga sorrat që ushqehen me zhurmën, me shpifjen, me teoritë konspirative dhe korbat që me bullizmin e me refuzimin kategorik të çdo fakti, kërkojnë të marrin peng Shqipërinë?!

Flamingot nuk e humbasin bukurinë e tyre nëse angazhohen në diskutimin e dobishëm për të ardhmen e zonës dhe rrugën e zhvillimit të Shqipërisë. Ndërsa sorrat dhe korbat mbeten thjesht e vetëm ata që janë, qysh prej 28 nëntorit të 1912-ës kur morën rolin e hijes që përndjek Shqipërinë, por pa shans që të shtrojnë një rrugë ferri me qëllimet e mira të flamingove…

Të Ngjashme