Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se, pas përfundimit të detyrës së tij në krye të qeverisë, synon të shkëputet nga rrjetet sociale. Këtë e bëri të ditur gjatë podcastit të tij të përjavshëm, të transmetuar këtë të diel, më 11 tetor, ku të ftuar ishin dy sipërmarrës që, pas vitesh pune jashtë vendit, kanë investuar dhe ngritur biznese në Shqipëri.
Gjatë bisedës, njëri prej sipërmarrësve, i cili ushtron aktivitetin e tij në Malësinë e Madhe, tregoi se nuk e përdor shumë internetin dhe rrjetet sociale. Ai shpjegoi se prej vitesh është mësuar të punojë në këtë mënyrë, ndërsa së fundmi po përpiqet t’i kushtojë më shumë rëndësi promovimit të biznesit të tij.
Sipas tij, një rol të rëndësishëm në reklamimin e aktivitetit turistik luajnë edhe vetë vizitorët, të cilët ndajnë përvojat e tyre dhe ua rekomandojnë destinacionin personave të tjerë.
Deklarata e sipërmarrësit solli edhe reagimin e kryeministrit Rama, i cili pranoi se e ka zili për faktin që qëndron larg rrjeteve sociale.
“E di sesa rehat je nga trutë e kokës, kur nuk ke rrjete sociale. Je shumë rehat, të kam shumë zili”, u shpreh Rama gjatë bisedës.
Më tej, kreu i qeverisë zbuloi se një nga gjërat që dëshiron të bëjë pasi të mos jetë më kryeministër është të ndërpresë përdorimin e rrjeteve sociale.
“Një nga gjërat që unë do të bëj kur të mos jem kryeministër, do jem ‘stop’ me rrjetet sociale”, deklaroi Rama. /skyweb.al
