Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka përkujtuar heroin dhe heroinën e kombit, Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin, me rastin e përvjetorit të rënies së tyre në Gllanasellë.
Në një postim në rrjete sociale, Lladrovci ka kujtuar kohën kur, sipas tij, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër forcave serbe kishte marrë përmasa të mëdha dhe UÇK-ja po luante rol përcaktues në rrugën drejt çlirimit të Kosovës.
Ai ka shkruar se Gllanasella u bë vendi ku u përjetësuan Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, të cilët, siç thekson, edhe në momentet e fundit të jetës mbetën të pandarë.
Kryetari i Drenasit ka vlerësuar se jeta dhe vepra e tyre, së bashku me atë të bashkëluftëtarëve të tjerë, përbëjnë një trashëgimi të luftës për lirinë e Kosovës.
Postimi i plotë:
Para 28 vitesh, kur fronti për çlirim kishte marrë përmasa të papara deri atëherë kundër okupatorit serb në Kosovë, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës po bëhej përcaktuese e çlirimit, Gllanasella u bë vendi ku u përjetësuan heroi dhe heroina e kombit, Fehmi e Xhevë Lladrovci.Ashtu siç jetuan e vepruan të pandarë, Feha e Xheva ishin të pandarë në vendin dhe kohën e kalimit në lavdinë e përjetshme, u bënë shembull i jashtëzakonshëm dhe trashëgimi heroike për brezat. Heroi dhe heroina, Feha e Xheva, me jetën dhe veprën e tyre e shkruan dhe përshkruan të drejtën tonë për liri, lavdinë e luftës sonë, me bashkëluftëtarët që dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës. Në këtë ditë përkujtimi, nderojmë dhe përkulemi, para jetës e veprës së bashkëluftëtarëve të tyre që dhanë jetën për liri, Fatime Hetemit, Shefqet Zekës, Behxhet Karaxhës, Milazim Karaxhës dhe Hamit Lladrovcit.
Liria jonë ka rrënjët në veprimtarinë atdhetare të gjeneratave të tëra, fati e deshti që gjenerata jonë të marrë hapin historik, hapin e çlirimit nga okupatori, duke qenë të bindur se më e çmuar është liria se jeta. Lavdi jetës dhe veprës heroike të Fehmi e Xhevë Lladrovcit, Fatimes, Shefqetit, Behxhetit, Milazimit dhe Hamitit! Falënderoj të gjithë pjesëmarrësit që morën pjesë në nderim të dëshmorëve, familjarët, bashkëveprimtarët, bashkëluftëtarët dhe qytetarët e shumtë, në veçanti familjarët e dëshmorëve të cilët prehen në varrezat e dëshmorëve në Gllanasellë. Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të kombit! Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
