Gjatë ditës së mërkurë, Prokuroria Speciale e Kosovës kërkoi dënim me burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit në rastin e sulmit në Banjskë, gjatë paraqitjes së fjalës përfundimtare në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Prokurori special, Naim Abazi, deklaroi se “dënimi i vetëm proporcional është burgimi i përjetshëm”, duke theksuar se çdo vendim tjetër nuk do të ishte në përputhje me gravitetin e veprës penale.
Në këtë proces gjyqësor po gjykohen Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, të cilët janë tre nga gjithsej 45 personat e përfshirë në aktakuzën për sulmin në Banjskë – një rast që autoritetet e Kosovës e cilësojnë si akt terrorist dhe për të cilin fajësojnë Serbinë.
Sulmi ndodhi më 24 shtator 2023, kur një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjes së armatosur u vranë edhe tre sulmues.
Gjykimi për këtë rast po i afrohet përfundimit, ndërsa pritet që vendimi i gjykatës të jepet pas përmbylljes së procesit gjyqësor.
Jashari: Është shumë me rëndësi që drejtësia të vihet në vend dhe palët e dëmtuara ta marrin sadisfaksionin moral, për humbjen e tyre
Avokati Arbër Jashari në një përgjigje për “Bota sot”, theksoi se burgimi i përjetshëm është dënimi më i rëndë dhe shqiptohet në raste me rrethana veçanërisht rënduese, duke shtuar se vendimin përfundimtar e merr gjykata dhe se është e rëndësishme që drejtësia të vihet në vend.
“Burgimi i Përjetshëm është dënimi më i rëndë që ka paraparë Kodi Penal, i cili shqiptohet në raste kur ekzistojnë rrethana veçanërisht rënduese ose vepra penale ka shkaktuar pasoja të rënda.
Në rastin konkret një gjë të tillë do të vlerësojë gjykata. Është shumë me rëndësi që drejtësia të vihet në vend dhe palët e dëmtuara ta marrin sadisfaksionin moral, për humbjen e tyre” – deklaron ai për gazetën.

Avokati Arbër Jashari
Ismajli: Ky dënim përfaqëson formën më të lartë të përgjegjësisë penale, u jep familjarëve një ndjenjë se krimi është trajtuar me peshën që e meriton
Kurse, avoktaja Besjana Ismajli tha se provat dhe dëshmitë kanë vërtetuar se të akuzuarit kanë qenë pjesë e një grupi terrorist të organizuar, me qëllim destabilizimin e rendit kushtetues.
Ajo theksoi se i dëmtuari, Çlirim Shaqiri, ka pësuar pasoja të rënda fizike dhe psikike. Në fund, kërkoi nga Gjykata dënim me burgim të përjetshëm për të akuzuarit dhe kompensim për viktimën.
“Ne e kemi mbështet në tërësi fjalën e prokurorit duke deklaru se: Qëllimi për destabilizim të rendit kushtetues u provua përmes provave të administruara dhe të shqyrtuara, deklarimit të dëshmitarëve, e gjithë organizimit të sulmit. Tre të akuzuarit që janë prezent pra është dëshmuar mjaftueshëm se kanë qenë pjesë aktive e grupit terrosist i cili nuk ishte formuar rastësisht. Çlirimi Shaqiri nga ky sulm terrorist nga këta të pandehur dhe shokët e tyre u lëndua, si nga aspekti psiqik, ashtu edhe fizik, ku akoma nuk ka rifilluar punën dhe nuk është rehabilituar. Ne tani nga Gjykata kërkojmë që të akuzuarit t’i shpallë fajtor, t’i marrë përbazë të gjitha rrethanat rënduese, si shkalla e lartë e dashjes, kryerja e veprës penale në mënyrë mizore, ashtu që të akuzuarit t’i dënojë me burgim të përjetshëm, si dhe ‘ti detyrojë që të dëmtuarin Çlirim Shaqiri ta kompensojnë për shërimin dhe rehabilitimin e dëmtimit që i ka marrë nga veprimet e tyre kriminale”, u shpreh ajo.

Besjana Ismajli
Tutje, ajo theksoi se burgimi i përjetshëm nuk e kthen viktimën dhe nuk e shuan plotësisht dhimbjen e familjes, por përfaqëson përgjegjësinë më të lartë penale. Ajo shtoi se, ndonëse emocionalisht drejtësia nuk përmbushet plotësisht, nga aspekti juridik ky dënim siguron rendin dhe tregon se krime të tilla dënohen maksimalisht.
“Burgimi i përjetshëm nuk e kthen jetën e humbur dhe as nuk e shuan plotësisht dhimbjen e familjes së viktimës, por ky dënim përfaqëson formën më të lartë të përgjegjësisë penale, u jep familjarëve një ndjenjë se krimi është trajtuar me peshën që e meriton!
Nëse përgjigjemi për nga aspekti emocional se dënimi me burgim të përjetshëm a e përmbush ndjenjën e drejtësisë për viktimën dhe familjet e tij, jo plotësisht sepse sado vendim i merituar dhe i drejtë më i dashuri i tyre nuk kthehet pranë tyre, mirëpo nga aspekti juridik dhe rendi shoqëror krijon siguri publike sepse dëshmohet se për veprat penale të kryera në mënyrë mizore, duke e cenuar seriozisht rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, nuk ka dënim më të ulët se dënimi me Burgim të Përjetshëm!” – përfundoi ajo për “Bota sot”.
