Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, ka mirëpritur veprimet e institucioneve të sigurisë lidhur me arrestimin e shtatë qytetarëve të nacionalitetit serb në Graçanicë, të dyshuar për tentim ndikimi në vullnetin e lirë të votuesve.
Sveçla tha se zgjedhjet në Kosovë, pavarësisht sfidave dhe bllokadave politike, vazhdojnë të vlerësohen ndërkombëtarisht për standardin e lartë të organizimit, integritetin e procesit dhe garantimin e shprehjes së lirë të qytetarëve.
Ai theksoi se veprimet e tilla, që sipas tij cenojnë drejtpërdrejt procesin demokratik, nuk do të tolerohen nga institucionet e Republikës së Kosovës.
“Mirëpres veprimin e institucioneve të sigurisë për arrestimin e shtatë qytetarëve të nacionalitetit serb në Graçanicë, të cilët përmes kërcënimeve, presionit dhe shantazhit kanë tentuar të ndikojnë në vullnetin e lirë të votuesve”, ka deklaruar Sveçla.
Ai shtoi se çdo përpjekje për frikësim apo manipulim të procesit zgjedhor do të trajtohet me vendosmëri nga institucionet përkatëse, duke garantuar integritetin e votës së qytetarëve.
“Institucionet e Republikës së Kosovës do të veprojnë me vendosmëri ndaj çdo përpjekjeje për të frikësuar qytetarët dhe për të deformuar vullnetin e tyre politik”, u shpreh ai.
