Lajme

Retorika e Vuçiqit/ Gjeneral major Racaj zbërthen ‘planin e fshehtë’ të Serbisë – ja çfarë kërkon nga Kosova!

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha në një postim në rrjetet sociale se vendi i tij po përballet me presione të ndryshme politike nga rajoni, duke përmendur në mënyrë direkte Prishtinën, Tiranën dhe Zagrebin, dhe paralajmëroi blerje të reja ushtarake.

“Si Komandant Suprem i Forcave të Armatosura Serbe, sot kam propozuar zhvillimin dhe miratimin e një strategjie robotizimi, formimin e një njësie në nivel batalioni të pajisur me platforma të robotizuara, kryerjen e përgatitjeve organizative për formimin e divizioneve dhe batalioneve të dronëve sulmues me rreze të gjatë veprimi dhe municioneve mobile, trajnimin e njësive speciale të zbulimit për përcaktimin e koordinatave të objektivave për kontrollin e zjarrit të artilerisë dhe aviacionit, pajisjen dhe trajnimin e mëtejshëm për përdorimin e dronëve në njësi të tjera”, tha presidenti serb.

U kërkova oficerëve të marrin pjesë me entuziazëm të madh dhe një angazhim edhe më të madh në këtë periudhë revolucionare ndryshimi në ushtrinë tonë në digjitalizimin dhe robotizimin e ushtrisë sonë, përdorimin e raketave më të fuqishme dhe moderne”, shtoi ai.

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur Gjeneral-majori dhe eksperti i sigurisë, Muhamet Racaj.

Racaj thotë se deklaratat e Aleksandar Vuçiq për “presione” nuk janë reale, por një narrativë politike që nuk përputhet me bashkëpunimin normal mes Kosova, Shqipëria dhe Kroacia, i cili synon stabilitet sipas standardeve të NATO.

Image
Muhamet Racaj

Ai gjithashtu nënvizon se kjo retorikë përdoret me qëllim që Serbia të paraqitet si viktimë dhe të justifikojë forcimin dhe modernizimin e ushtrisë së saj.

Deklarata e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për gjoja “presione politike” nga Prishtina, Tirana dhe Zagrebi duhet të analizohet me kujdes dhe në kontekst të gjerë strategjik, si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë rajonal.

Së pari, një narrativë e tillë nuk përkon me realitetin faktik të sigurisë në rajon. Bashkëpunimi ndërmjet Kosova, Shqipëria dhe Kroacia është në përputhje të plotë me standardet euroatlantike dhe nuk përbën kërcënim për askënd, përfshirë Serbia. Përkundrazi, ky bashkëpunim synon stabilitet, interoperabilitet dhe kontribut në arkitekturën kolektive të sigurisë, në linjë me parimet e NATO-s dhe partnerëve strategjikë.

Së dyti, duke u mbështetur edhe në analizën time të mëhershme të datës 29.01.2026, është e qartë se retorika e tillë nga Beogradi nuk është spontane, por pjesë e një strategjie të mirëkalkuluar. Duke paraqitur veten si “viktimë” e presioneve të jashtme, udhëheqja serbe synon të legjitimojë përshpejtimin e armatimit masiv dhe modernizimin e kapaciteteve ushtarake, përfshirë sistemet raketore, dronët luftarakë dhe armatimin e rëndë tokësor”, u shpreh ai.

Ndër të tjera gjenerali shton se bashkëpunimet rajonale po përdoren nga Serbia si justifikim për një agjendë të brendshme militarizimi, duke krijuar një kërcënim të perceptuar për të fituar mbështetje dhe për të larguar vëmendjen nga problemet e brendshme.

Ai potencon se kjo retorikë synon edhe të rrisë presionin ndaj Kosova, të forcojë pozitën e Serbisë në dialog dhe të mbajë tensione, veçanërisht në veri të Kosovës.

Në këtë kuptim, marrëveshjet trilaterale apo format e bashkëpunimit rajonal po përdoren si pretekst politik për të justifikuar një agjendë të brendshme militarizimi. Kjo është një taktikë e njohur: krijimi i një kërcënimi të perceptuar për të rritur mbështetjen e brendshme dhe për të shmangur vëmendjen nga sfidat e brendshme politike dhe ekonomike.

Së treti, kjo narrativë ka edhe dimension të qartë rajonal. Serbia vazhdon ta konsiderojë Kosova si çështje të hapur strategjike dhe përmes retorikës së tensionuar synon:

të ruajë presionin politik ndaj institucioneve të Prishtinës,

të forcojë pozicionin negociues në dialogun me ndërmjetësim ndërkombëtar,

dhe të mbajë gjallë një klimë të pasigurisë, sidomos në veri të Kosovës”, shpjegoi eksperti i sigurisë.

Në fund gjenerali nënvizon bashkëbisedimin duke potencuar që Serbia e di që nuk mund të ndërmarrë veprime ushtarake reale, për shkak të pranisë së KFOR dhe mbështetjes që Kosova ka nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët euroatlantikë.

Gjithashtu rithekson se deklaratat e Aleksandar Vuçiq janë më shumë për politikë të brendshme dhe justifikim të militarizimit, ndërsa zgjidhja është që Kosova të qëndrojë vigjilente, të forcojë mbrojtjen dhe të bashkëpunojë ngushtë me aleatët për stabilitet në rajon.

Megjithatë, duhet theksuar qartë se Serbia është e vetëdijshme për kufizimet reale strategjike. Prania e KFOR, partneriteti i fortë i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbështetja e vazhdueshme nga aleatët euroatlantikë e bëjnë të pamundur çdo aventurë të hapur ushtarake.

Në përfundim, deklarata e Presidentit Vuçiq nuk duhet parë si reflektim i një rreziku real nga fqinjët, por si pjesë e një strategjie të dyfishtë: konsum i brendshëm politik dhe justifikim për militarizim të përshpejtuar. Marrëveshjet dhe bashkëpunimet ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë nuk e rrezikojnë Serbinë; ato kontribuojnë në stabilitetin rajonal.

Përballë kësaj situate, përgjigjja më e mençur mbetet: vigjilencë strategjike, forcim i kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës dhe koordinim i ngushtë me aleatët ndërkombëtarë, në funksion të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, përfundoi gjenerali Racaj për “Bota sot”.

Të Ngjashme