Deklarata e Ivica Daçiqit se flamuri serb do të valojë një ditë mbi Prizren ka rikthyer në qendër të vëmendjes retorikën nacionaliste të Beogradit dhe pretendimet ndaj territorit të Kosovës. Pas kësaj deklarate ka reaguar edhe ish-ministri gjerman për Evropën, Michael Roth, i cili ka paralajmëruar për rrezikun që paraqet një politikë e tillë dhe ka kërkuar ndërprerjen e fondeve evropiane për Serbinë.
Lidhur me këtë situatë, profesori Nijazi Halili, në një prononcim për “Bota sot”, vlerëson se deklaratat e tilla nuk janë të pafajshme, por përbëjnë mesazhe nacionaliste që sfidojnë sovranitetin e Kosovës. Ai kërkon që Bashkimi Evropian të mbajë një qëndrim më të vendosur ndaj Beogradit dhe të mos lejojë që retorika kërcënuese të vazhdojë pa pasoja konkrete.
“Deklarata e Ivica Daçiqit se flamuri serb do të valojë një ditë mbi Prizren është dëshmi e një diskursi politik që vazhdon ta sfidojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Këto nuk janë deklarata të pafajshme, por mesazhe nacionaliste që ushqejnë pretendime territoriale dhe rrezikojnë stabilitetin në rajon”, deklaron Halili.
Duke komentuar paralajmërimin e Michael Roth se një politikë e tillë mund të çojë drejt luftës, profesori thekson se ky vlerësim duhet marrë seriozisht, ndonëse kjo nuk nënkupton se një konflikt i ri është i pashmangshëm.
Sipas tij, rreziku qëndron te tolerimi i vazhdueshëm i retorikës kërcënuese dhe mungesa e pasojave konkrete për deklaratat që vënë në pikëpyetje sovranitetin dhe kufijtë e Kosovës.
“Paralajmërimi i Michael Roth se një politikë e tillë mund të çojë drejt luftës duhet marrë seriozisht. Kjo nuk do të thotë se lufta është e pashmangshme, por se retorika kërcënuese, kur tolerohet dhe nuk shoqërohet me pasoja, mund të krijojë terren për veprime destabilizuese. Paqja nuk mund të garantohet duke mbyllur sytë para deklaratave që vënë në pikëpyetje kufijtë dhe sovranitetin e një shteti”, shprehet ai.

Nijazi Halili
Më tej, Halili e vë theksin te përgjegjësia e Bashkimit Evropian, duke kërkuar që Brukseli të mos mjaftohet vetëm me shprehjen e shqetësimit, por të ndërmarrë hapa konkretë për ta bërë Serbinë përgjegjëse për retorikën e saj politike.
Sipas profesorit, një ndër masat që duhet të shqyrtohet është kushtëzimi i fondeve evropiane dhe i përfitimeve që Serbia merr në kuadër të procesit të integrimit evropian.
“Përgjegjësia e Bashkimit Evropian është të kalojë nga deklaratat e shqetësimit në një politikë konkrete të kushtëzimit dhe llogaridhënies. Nëse Serbia vazhdon me një retorikë të tillë, BE-ja duhet të shqyrtojë masa konkrete, përfshirë kushtëzimin e fondeve evropiane dhe të përfitimeve nga procesi i integrimit. Nuk mund të kërkohet nga Kosova të dëshmojë vazhdimisht përkushtim ndaj dialogut, ndërkohë që deklaratat destabilizuese nga Beogradi kalojnë pa pasoja të krahasueshme”, thekson Halili.
Ai vlerëson se qasja e Bashkimit Evropian duhet të jetë e njëjtë ndaj të gjitha palëve dhe se Serbia nuk mund të vazhdojë të përfitojë nga procesi i integrimit evropian, nëse nuk dëshmon përkushtim të sinqertë ndaj fqinjësisë së mirë dhe normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.
Në këtë kontekst, profesori thekson se respektimi i sovranitetit të Kosovës duhet të jetë një kusht themelor në raportet e Serbisë me Bashkimin Evropian.
“Serbia duhet ta kuptojë se rruga drejt Bashkimit Evropian kalon përmes respektimit të fqinjëve, heqjes dorë nga pretendimet territoriale dhe angazhimit të sinqertë për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”, deklaron ai.
Në fund, Halili nënvizon se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, ndërsa ruajtja e paqes dhe stabilitetit në rajon kërkon një qëndrim të vendosur të bashkësisë ndërkombëtare ndaj çdo deklarate apo veprimi që cenon këto parime.
Sipas tij, Bashkimi Evropian duhet të dëshmojë qëndrueshmëri në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, në mënyrë që pretendimet e tilla të mos mbeten vetëm objekt reagimesh diplomatike.
“Kosova nuk është objekt i ambicieve territoriale të askujt, por shtet sovran dhe i pavarur. Paqja në rajon kërkon respektim të ndërsjellë, ndërsa stabiliteti afatgjatë kërkon që Bashkimi Evropian të jetë i vendosur dhe konsekuent në mbrojtjen e këtyre parimeve”, përfundon profesori Nijazi Halili për “Bota sot”.
