Lajme

Rrahmani akuzon Kurtin për favorizim të komunave serbe

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Eman Rrahmani në mbledhjen e Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, Fahrush Rexhepi ka thënë se ka një “diskriminim pozitiv” për komunitetet gjatë qeverisjes së Kurtit.

Sipas tij, kryeministri ka ndarë më shumë buxhet për komunitetin serb se për komunitetin shqiptar.

“Veç me njoftu opinionin që ka diskriminim pozitiv të komunitetit apo një komunitetit të vetëm, të komunave që janë me shumicë serbe, unë me këtë bëj në krahasim të buxhetit të Zveçanit i kanë shpërndarë 1.134 euro për kokë banori, Ranillugut 1046 euro për kokë banori, Zubin Potokut 1027 euro për kokë banori, kurse një qytetari të Prishtinës 381euro për kokë banori. Pra Albin Kurti ka jep trefish pare më shumë për kokë banori për serb, ose serb që jetojnë në komuna me shumicë serbe, siç është Zveçani, Ranillug, Zubin Potoku, po edhe të tjera komuna të tjera në vlera pak më të vogla, unë po marr si shembull këto tri komuna, kurse ka dhënë dyfish më tepër se sa për qytetarët që jetojnë në komunat me shumicë shqiptare”, tha Rrahmani.

Ndërsa, kryesuesi Rexhepi kërkoi nga deputeti që t’i drejtohej Kurtit si kryeministër, për çka patën mospajtime.

“Po jam në këtë rast jam si kryesues dhe natyrisht se do të mundohem gjithherë me të inkuadruar për të hapur, ja unë mendoj për të hapur kështu. Albin Kurti duhet me ditë që është kryeministër, mendoj se është korrekt me i thënë kryeministër Albin Kurtit”, tha Rexhepi.

Për këtë pati ndërhyrje edhe nga deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu nga Aleanca që kërkoi nga Rexhepi të mos e luaj zëdhënësin e Qeverisë.

Haxhiu e AAK-së i reagon deputetit Rexhepi: Këtu mos e merr rolin për të qenë zëdhënës

“Faktet flasin, unë jam edhe në komisionin për buxhet, ka diskriminim por është kamufluar vëtëm një aktvendim i Gjykatës Kushtetuese për shkak të përvojës së punës, siç din me kamuflu Qeveria në këtë rast, qysh po don me thanë ti, kryeministri Kurti. Këtu mos e merr rolin për të qenë zëdhënës, ti e merr fjalën njëjtë sikur ne”, tha Haxhiu.

Kryesuesi Rexhepi hodhi poshtë të gjitha këto deklarata, duke thënë se s’ka pranuar asnjëherë urdhëra nga Qeveria.

Rexhepi: Asnjëherë nuk e kam marrë asnjë rekomandim apo imponim prej askujt:”Jeni të bindur se kurrë në jetë, asnjëherë nuk e kam marrë asnjë rekomandim apo imponim prej askujt… Asnjë person nuk e kam pyet për asgjë kurrë në jetë”, tha Rexhepi.

Të Ngjashme