Prokuroria Speciale konfirmon se, përveç rasteve që tashmë janë bërë publike, po hetohen edhe persona të tjerë të dyshuar për spiunazh dhe bashkëpunim me shërbimin sekret serb, BIA. Katër aktgjykime dënuese janë dhënë deri më tani, ndërsa hetimet po synojnë ta zbardhin një rrjet më të gjerë, që dyshohet se ka mbledhur informacione të ndjeshme për institucionet e sigurisë dhe zhvillimet politike në Kosovë.
Nuk janë vetëm emrat që tashmë janë bërë publikë. Pas arrestimeve dhe aktgjykimeve për spiunazh, Prokuroria Speciale po heton edhe persona të tjerë të dyshuar se kanë bashkëpunuar me BIA-n serbe. Ajo që konfirmohet është se hetimet kanë të bëjnë me një rrjet të dyshuar, ku personat e rekrutuar kanë pasur detyra dhe kontakte të caktuara nga shërbimi sekret serb.
Kodraliu thotë se në dy vitet e fundit Prokuroria Speciale ka intensifikuar luftën kundër spiunazhit, derisa hetimet po çojnë te persona të tjerë që dyshohet se kanë qenë pjesë e aktivitetit të BIA-s në Kosovë.
Sipas Prokurorisë, personat nën hetim kanë tentuar të sigurojnë qasje në dokumente zyrtare dhe informacione konfidenciale. Por interesi nuk është kufizuar vetëm te dokumentet. Në fokus kanë qenë edhe informacione për institucionet e sigurisë, zyrtarët e Policisë Speciale, ish-eprorë të UÇK-së dhe aktorët politikë.
Një nga rastet e lidhura me BIA-n serbe është edhe sulmi terrorist në Ibër-Lepenc. Sipas prokurorit Kodraliu, i dyshuari kryesor në këtë rast ka pasur lidhje me BIA-n. Prokuroria thotë se ka siguruar prova shkencore, të dhëna për hyrje-daljet në Serbi, komunikime telefonike me zyrtarë të BIA-s dhe të dhëna të tjera që po analizohen në kuadër të hetimit.
Një tjetër emër i bërë publik si bashkëpunëtor i shërbimit sekret serb është Fatmir Sheholli. Prokurori Kodraliu konfirmon se Sheholli dyshohet se u ka ofruar ndihmë dhe informacione strukturave të BIA-s, konkretisht zyrtarit të BIA-s, Bojan Dimiq.
Prokuroria Speciale thotë se beteja kundër spiunazhit do të vazhdojë dhe se askush që dyshohet për bashkëpunim me BIA-n serbe nuk do të kursehet nga hetimet. Synimi, sipas Prokurorisë, është i qartë: të ndalet çdo përpjekje për cenimin e sigurisë dhe të rendit kushtetues të Kosovës.
