Lajme

Rutte paralajmëron Rusinë: NATO do t’i përgjigjet fuqishëm çdo agresioni ndaj aleatëve

Në një deklaratë nga Suedia, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, vlerësoi rolin e Suedisë si anëtarja më e re e aleancës, duke e cilësuar vendin si një kontribuues të rëndësishëm për sigurinë kolektive dhe mbështetjen ndaj Ukrainës.

Në konferencën e përbashkët me kryeministrin suedez Ulf Kristersson, Rutte lavdëroi angazhimin e Stokholmit për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe përpjekjet për të frenuar të ashtuquajturën “flotë në hije” të Rusisë, e përdorur për të shmangur sanksionet ndërkombëtare.

Rutte përsëriti gjithashtu paralajmërimin e tij të drejtpërdrejtë ndaj Moskës, duke theksuar vendosmërinë e aleancës për të mbrojtur çdo shtet anëtar.

“Le të mos gabohemi: aftësia dhe vendosmëria jonë për të mbrojtur çdo aleat janë absolute. Nëse dikush do të ishte aq budalla sa të sulmonte, përgjigjja do të ishte shkatërruese,” deklaroi ai, citon Guardian.

Në fokus të diskutimeve ishte edhe mbështetja financiare për Ukrainën. Rutte kritikoi faktin se barra e ndihmës nuk po ndahet në mënyrë të barabartë mes vendeve të NATO-s.

Sipas tij, një grup i kufizuar shtetesh – përfshirë Suedinë, Kanadanë, Gjermaninë, Holandën dhe Danimarkën – po mbajnë pjesën më të madhe të përpjekjeve, ndërsa shumë vende të tjera “nuk po shpenzojnë mjaftueshëm kur bëhet fjalë për mbështetjen për Ukrainën”.

Edhe kryeministri Kristersson theksoi angazhimin e Suedisë, duke kujtuar se vendi i tij është donatori i tretë më i madh për Ukrainën. Ai u bëri thirrje vendeve të tjera të aleancës të rrisin kontributin e tyre.

“Ne duhet të jemi afatgjatë dhe të vendosur në mbështetjen tonë. Kështu që unë me të vërtetë do të doja që më shumë vende që flasin kaq mirë për Ukrainën të flasin hapur,” tha ai.

Ndërkohë, Rusia ka përsëritur pretendimet, se Letonia dhe shtetet e tjera baltike mund të përdoren nga Ukraina si “pikë nisjeje” për sulme ndaj territorit rus.

Në një deklaratë të publikuar në Telegram, ministria e jashtme ruse, duke cituar shërbimin e saj të inteligjencës së jashtme por pa paraqitur prova, pretendoi se ushtria ukrainase po përgatit sulme ndaj Rusisë nga territoret e Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë./teve1.info/

Të Ngjashme