Lajme

​Salihu: Konsullata në Medvegjë të jetë pikënisje, jo pikëarritje në mbështetje të shqiptarëve

Aktivisti politik nga Medvegja, Muharrem Salihu, e vlerëson se si të rëndësishëm planin e Shqipërisë për hapjen e konsullatës në zonat e banuara me shqiptarë në Serbi, por vetëm nëse kësaj radhe e njëjta bëhet realitet.

Kjo, meqë gjendja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, është rënduar dukshëm, ndërsa mbështetja e vërtetë e Tiranës ka munguar.

Hapja e konsullatës shqiptare në Serbi, jetësim i përkujdesjes së munguar

“Ne jemi dëshmitarë për gjendjen e shqiptarëve të rënduar relativisht shumë në Serbi, sidomos në jug të Serbisë e veçanërisht në Medvegjë. Dhe kjo marrëveshje, nëse ka për qëllim të konsiderohet si një pikënisje e një përkushtimi të vazhdueshëm për fatin e shqiptarëve në Serbi, sigurisht se bën lajm dhe është shumë e rëndësishme. Por, nëse do të konsiderohej si një pikëarritje, do të ishte e dëmshme sepse, në fakt, deri tani përkujdesja e tillë ka munguar. Substancialisht nuk ka pasur asgjë, përpos disa veprime më shumë të karakterit, le të thoshim, të dukjes (të aparencës), përjashtuar periudhën kur ka qenë Ministër i Punëve të Jashtme i Shqipërisë zoti Gent Cakaj, i cili e mori me shumë përkushtim çështjen e shqiptarëve, duke arritur edhe të ndikojë dukshëm në unifikimin e faktorit politik shqiptar në Serbi”, tha ai

Salihu rikujton se e njëjtta është një ide e kahmotshme, andaj dyshon nëse kësaj radhe po bëhet seriozisht, apo nëse hapja e saj e ka misionin e deklaruar.

Salihu: Konsullata nuk duhet të jetë kulmi I angazhimit të Shqipërisë në jugun e Serbisë

“Dhe nëse kjo do të konsiderohej si një pikëarritje, si një kulm i rezultatit të Shqipërisë me hapjen e një konsullate në Serbi (që nuk e di ku do të jetë saktësisht), atëherë kjo nuk do të mjaftonte dhe do të ishte një veprim i dëmshëm, sipas mendimit tim”, tha ai.

Salihu kërkon kujdes edhe karshi plani të Serbisë që ta hap konsullatën e saj në Shkodër.

“Nëse do të ishte për interesa ekonomike, konsulata serbe do të mund të hapej në Sarandë ose Vlorë”

“Sepse, për vetë faktin që Serbia përmend Shkodrën si pozicion të konsullatës së ardhshme, domethënë në njëfarë forme hedh kripë në plagët e vjetra të shqiptarëve dhe nxit probleme ndëretnike në rajon. Gjë që bën të kuptohet se nuk kanë ndonjë interes të veçantë për të mbuluar, le të thoshim, interesa ekonomike, sepse Serbia viteve të fundit, përmes kompanive të veta, ka investuar relativisht shumë në jug të Shqipërisë, përveç vizitave të shumta verore ku një numër i konsiderueshëm me disa dhjetëra mijëra turistë serbë i bëjnë pushimet në bregdetin shqiptar. Pra, nëse do të ishin këto konsullata… kjo konsullatë serbe në shërbim të faktorëve ekonomikë apo turizmit, do të duhej të ishte në jug të Shqipërisë, diku qoftë në Sarandë apo në Vlorë, dhe jo në veri”, vlerëson Salihu.

Kësisoj, insistimin e Serbisë për këtë konsullatë, veprimtari e sheh si plan me disa efekte negative.

Salihu: Konsullata serbenë Shkodër është kundër shqiptarëve dhe malazezëve

“Por ajo me një veprim vret dy zogj: po ia komplikon në dukje shtetit shqiptar pozitën për ta hapur konsullatën në Serbi, duke provokuar popullin shqiptar me hapjen e konsullatës në Shkodër, gjë që i tërë opinioni ka reaguar kohët e fundit me të drejtë, dhe në anën tjetër po ul edhe pozitën e Malit të Zi. Sepse realisht më shumë mund të ketë malazezë në Shkodër sesa janë serbë, diku disa dhjetëra serbë që janë deklaruar deri tani. Dhe kështu ndoshta tek kompetencat territoriale, le të thoshim, do të ishte më e drejtë një kërkesë nga Mali i Zi sesa nga Serbia”, u shpreh Salihu.

Të Ngjashme