Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Schmitt: Kurti i pari kryeministër kosovar që rrezikoi raportet me ShBA-të

Eksperti për Ballkanin Oliver Jens Schmitt, ka folur për situatën në veriun e Kosovës.

Ai në një intervistë për gazetën gjermane T-Online tha se Albin Kurti, është kryeministri i parë kosovar i cili i ka rrezikuar raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Problematike për Kurtin është tani sepse ai është tani kryeministri i parë kosovar që rrezikon një konflikt me Shtetet e Bashkuara. Kjo sigurisht që mund ta dobësojë atë brenda vendit, edhe nëse opozita aktualisht nuk është shumë e dukshme”, tha ai.

Schmitt u shfaq kritik për Francën dhe Shtetet e Bashkuara.

“Franca është më pak e rëndësishme në këtë çështje: qeveritë e saj nuk kanë qenë shumë aktive në Ballkanin Perëndimor dhe kanë qenë gjithmonë të kujdesshme ndaj shqiptarëve të Kosovës. Më duket e habitshme që SHBA-të dhe Franca tani janë relativisht të njëanshme duke fajësuar Kosovën dhe mezi kritikojnë Serbinë”, tha Schmitt.

Eksperti theksoi se tensionet në veri të Kosovës u kontrolluan nga Serbia.

Ai tha se i sheh si një “dhuratë politike” për presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Drejtori shkencor i Departamentit të Kërkimeve Ballkanike të Akademisë Austriake të Shkencave u pyet nëse ishin të parashikueshme këto trazira.

“Po, veçanërisht në lidhje me situatën e brendshme politike në Serbi. Javët e fundit ka pasur demonstrata masive të krahasueshme me ato që çuan në përmbysjen e presidentit të atëhershëm Slobodan Millosheviq më shumë se 20 vjet më parë. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq është nën presion të madh. Ngjarjet aktuale në Kosovë janë dhuratë politike për të. Ai tani mund të thotë: Bashkëkombësit tanë janë në rrezik, duhet t’i bashkojmë radhët tani. Në këtë aspekt ai i tërhoqi të gjitha ndalesat, e vendosi ushtrinë në kufi dhe përdori bandidët e tij kundër trupave të KFOR-it”.

Ai vuri në dukje strukturat paralele të Serbisë në Kosovë dhe bën fajtor Beogradin për tensionet e ngritura në veri të Kosovës.

“Dhe dihet mirë se qeveria e Vuçiqit mban struktura paralele në zonat e dominuara nga serbët e Kosovës. Pra, sigurisht që nuk do të kishte trazira kaq masive nëse Beogradi nuk do të donte”