Lajme

​Seanca gjyqësore në rastin Kukaj, kërkohet dëmshpërblim nga Komuna e Prishtinës mbi 320.000 euro

Ka përfunduar seanca gjyqësore në rastin e padisë për diskriminim të ngritur nga qytetari me aftësi të kufizuar, Faruk Kukaj ndaj Komunës së Prishtinës. Në këtë seancë u kërkua nga avokati i palës, Sylejman Klinaku që padia e paditësit, Faruk Kukaj të aprovohet dhe t’i kompensohen palës së dëmtuar dy dëme në vlerë prej 321 mijë e 215 euro.

Klinaku: Komuna te bëjë kompensimin në vlerë prej 321 mijë e 215 euro

“Komuna të bëjë shpërblimin e dëmit, vizë kompensimin për dëmin material për karrocë, shumën 150 euro, për një asistent nga viti 2015 deri në datën 14.09.2022, shumën sipas pagës minimale të atëhershme në vlerë 250 euro neto, dhe në total shumën prej 21,000 euro, si dhe dëmin jomaterial për dhimbje shpirtërore dhe frikën e përjetuar të paditësit, për periudhën nga viti, nga fillimi i vitit 2015 deri në datën 14.09.2022, në shumën e përgjithshme prej 300,000 euro. E që në shumën e përgjithshme për dy dëmet, material dhe jomaterial, për periudhën nga fillimi i vitit 2015 deri në datën 14.09.2022, shumën e përgjithshme 321,150 euro për shkak të diskriminimit të rëndë të shkaktuar nga shkelja e të drejtave të mbrojtura me ligjin e diskriminimit”, tha ai.

Ndërsa, avokatja që përfaqësonte Komunën e Prishtinës, Kaltrina Velegu ka kërkuar që kërkesëpadia e Faruk Kukajt të refuzohet si e pabazuar sepse sipas saj, paditësi nuk ka arritur të dëshmojë ekzistimin e diskriminimit dhe trajtimit të pabarabartë.

Velegu: Kërkojmë që kërkesëpadia të refuzohet si e pabazuar

“Mbetemi pranë të gjitha deklarimeve të dhëna më herët, përfshirë përgjigjen në padi dhe fjalën përfundimtare të datës 14.09.2022. Konsiderojmë se paditësi nuk ka arritur të dëshmojë ekzistimin e diskriminimit, trajtimit të paparabartë apo ndonjë shkelje tjetër të drejtës së tij nga ana e të paditurës. Prandaj, mbetemi në tërësi pranë qëndrimeve tona dhe kërkojmë që kërkesëpadia të refuzohet si e pabazuar”, tha Velegu.

Velegu përsëri theksoi se prapë mbeten pranë pretendimeve të tyre, duke shtuar se pala e dëmtuar nuk ka arritur të provojë asnjë veprim diskriminues nga Komuna e Prishtinës.

Velegu: Nga ana e paditësit nuk është provuar asnjë veprim diskriminues nga Komuna e Prishtinës

“Pas administrimit të provave dhe shqyrtimit të çështjes, mbetemi pranë të gjitha pretendimeve tona të paraqitura gjatë procedurës. Vlerësojmë që nga ana e paditësit nuk është provuar asnjë veprim diskriminues nga Komuna e Prishtinës. Për këtë arsye, duke pasur parasysh të gjitha rrethanat e çështjes, i propozojmë gjykatës që kërkesëpadinë e paditësit ta refuzojë si të pabazuar”, tha ajo.

Në fund, gjyqtari i seancës Blerand Rrmoku tha se aktgjykimi do të përpilohet brenda afateve të përcaktuara me dispozitat e Ligjit të Procedurës Kontestimore, dhe i njëjti do t’u komunikohet palëve me kohë.

Rrmoku: Aktgjykimi do të përpilohet brenda afateve të përcaktuara

“U dëgjuan fjalët përfundimtare… seanca e shqyrtimit kryesor në këtë çështje ka mbaruar. Aktgjykimi do të përpilohet brenda afateve të përcaktuara me dispozitat e Ligjit të Procedurës Kontestimore, dhe do t’u komunikohet palëve me kohë”, tha Rrmoku.

Të Ngjashme