Avokati Korab Sejdiu ka reaguar lidhur me ngritjen e aktakuzës ndaj të dyshuarit për vrasjen e Diana Kastratit, e cila u vra para më shumë se 15 vjetësh.
Përmes një shkrimi në Facebook, Sejdiu ka theksuar se ngritja e aktakuzës nga Prokuroria është një hap i rëndësishëm drejt drejtësisë, por ka shprehur shqetësimin që procedura, pas gjithë këtyre viteve, do të zhvillohet në mungesë të të akuzuarit.
Ai ka bërë të ditur se ka qenë përfaqësues ligjor i familjes Kastrati në betejën e tyre para Gjykatës Kushtetuese, ku ndër të tjera ishte konstatuar shkelja e së drejtës për jetë.
Sipas Sejdiut, familja Kastrati ka kaluar një përpjekje të jashtëzakonshme për të kërkuar drejtësi, dinjitet dhe përgjegjësi institucionale.
Postim i plotë:
15 vjet pritje për drejtësi – rasti i Diana Kastratit
Pas më shumë se 15 vjetësh nga vrasja tragjike e Diana Kastratit, Prokuroria ka ngritur më në fund aktakuzë ndaj të dyshuarit për vrasjen e saj, por në mungesë.
Si përfaqësues ligjor i familjes Kastrati në betejën e tyre para Gjykatës Kushtetuese, ku ndër të tjera u konstatua shkelja e së drejtës për jetë, kam qenë dëshmitar i një përpjekjeje të jashtëzakonshme të kësaj familjeje për drejtësi, dinjitet dhe përgjegjësi institucionale.
Për familjen Kastrati, pa dyshim që kjo mbetet një plagë e hapur. Ngritja e aktakuzës është një hap i rëndësishëm, por fakti që edhe pas 15 vjetësh procedura duhet të zhvillohet në mungesë të të akuzuarit ngre pyetje të pashmangshme nëse institucionet tona kanë bërë gjithçka që ishte në fuqinë e tyre për ta sjellë atë para drejtësisë.
Drejtësia e vonuar nuk mund ta kthejë Dianën, por familja e saj meriton të paktën një proces të plotë, efektiv dhe një përfundim dinjitoz të kësaj beteje kaq të gjatë.
Diana nuk duhet të harrohet. As dhimbja e familjes së saj. As përgjegjësia e institucioneve për të mbrojtur jetën.
