Lajme

Pacolli padit Shalën për shpifje dhe fyerje, ministrja tregon çfarë ndodhi në gjykatë

Ministrja Fitore Pacolli ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në seancën përgatitore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, lidhur me padinë që ka paraqitur ndaj Asdren Shalës për shpifje dhe fyerje.

Përmes një postimi në Facebook, Pacolli ka thënë se padia është ngritur për shkak të deklaratave që ajo i cilëson të pavërteta dhe akuzave të pabazuara ndaj saj.

Ajo ka bërë të ditur se, pavarësisht ftesës së gjykatës, Asdren Shala nuk është paraqitur në seancën përgatitore.

Ministrja ka paralajmëruar se do të ndjekë rrugën gjyqësore edhe ndaj personave të tjerë, të cilët kanë bërë shpifje dhe sulme ndaj saj.

Postim i plotë:

Sot u mbajt seanca përgatitore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, lidhur me padinë që kam paraqitur ndaj Asdren Shalës për shpifje dhe fyerje, për shkak të deklaratave të pavërteta dhe akuzave të pabazuara ndaj meje.

​Përkundër ftesës nga gjykata, ai nuk e mori mundin të paraqitej.

​Shpifjet, akuzat dhe sulmet nuk do të kalojnë pa përgjegjësi. Në radhë janë edhe shpifësit e tjerë, pjesë e llumit politik e mediatik, me të cilët do të ballafaqohemi në gjykatë.

​E vërteta mund të vonojë, por gjithnjë triumfon.

Të Ngjashme