Kreu i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Enkel Rexhepi, ka njoftuar se Qeveria serbe ka bllokuar transferet dhe donacionet nga Kosova, që për qëllim kanë zhvillimin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar në Luginë.
Nuk bëhet fjalë për një çështje teknike. Bëhet fjalë për bllokimin e fondeve nga Qeveria e Kosovës, që prekin drejtpërdrejt 3650 nxënës, 94 fëmijë pa prind, 957 bujq, mbi 756 studentë, 139 organizata joqeveritare dhe mijëra qytetarë që varen nga këto programe”, ka shkruar Rexhepi.
Sipas tij, faktet dëshmojnë që kjo po ndodhë nëpërmjet bankës nga Qeveria e Serbisë dhe ministri Demo Berisha.
Lidhur me këtë, nga Qeveria e Republikës së Kosovës kanë deklaruar për IndeksOnline se janë ndërmarrë hapat konkretë për të njoftuar Bashkimin Evropian dhe faktorët relevantë ndërkombëtarë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës dënon fuqishëm bllokimin e vazhdueshëm të mjeteve financiare të destinuara për Këshillin Kombëtar Shqiptar, duke e konsideruar këtë si ndërhyrje të papranueshme në funksionimin e një institucioni legjitim përfaqësues të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ky është rasti i dytë që mjetet e ndara nga Qeveria e Kosovës pengohen në mënyrë të pajustifikuar, duke dëshmuar për një model të përsëritur të bllokimit institucional”, deklaroi qeveria.
Sipas këtij institucioni, rasti lidhet me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 10 tetor 2025, përmes të cilit janë ndarë 304,511.16 euro për Këshillin Kombëtar Shqiptar, mjete që nuk janë ekzekutuar pasi janë bllokuar nga autoritetet në Serbi.
“Ndërkaq, në prill 2026, shuma totale e mjeteve të bllokuara ka arritur në 1,837,511.16 euro, të dedikuara për projekte në arsim, kulturë, trashëgimi kulturore, si edhe për ruajtjen dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve në Luginë”, thuhet në përgjigjen për IndeksOnline.
Në të njëjtën kohë, nga qeveria pohojnë se kjo praktikë bie ndesh me standardet ndërkombëtare.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë hapa konkretë për të njoftuar Bashkimin Evropian dhe faktorët relevantë ndërkombëtarë, duke kërkuar reagim ndaj kësaj praktike që bie ndesh me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të pakicave. Theksojmë se mjetet e Republikës së Kosovës janë plotësisht transparente – dihet qartë burimi, destinimi dhe përfituesit – dhe shpërndahen përmes një procesi të hapur dhe konkurrues nga Këshilli Kombëtar Shqiptar.
Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e vendosur të vazhdojë mbështetjen për shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe Sanxhak, duke përdorur të gjitha mjetet demokratike, institucionale dhe ndërkombëtare për të ndalur këtë padrejtësi dhe për të siguruar respektimin e të drejtave të tyre”, deklaron Qeveria e Republikës së Kosovës.
