Deklaratat e fundit nga shefi i Pentagonit, Pete Hegseth, sugjerojnë një qëndrim të ashpër të Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit dhe një rritje të presionit në rajon.
Në një konferencë për media, Hegseth theksoi se SHBA-të po forcojnë kapacitetet e tyre ushtarake, duke paralajmëruar se vendi i tij është duke “ringarkuar armën me më shumë fuqi se më parë” dhe duke i dhënë Iranit një zgjedhje të qartë midis të vepruarit “në mënyrën e lehtë ose në mënyrën e vështirë”.
Në të njëjtën kohë, Hegseth theksoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë praninë dhe kontrollin e tyre në rajon për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
“Për aq kohë sa të duhet, ne do ta mbajmë bllokadën,” u shpreh ai, duke e cilësuar këtë si “mënyra e sjellshme që mund të shkojë kjo”, citon Guardian.
Ai shtoi se Marina Amerikane tashmë kontrollon trafikun që hyn dhe del nga Ngushtica e Hormuzit dhe se kjo po realizohet me më pak se 10% të fuqisë detare amerikane, duke nënvizuar epërsinë ushtarake të SHBA-ve në këtë zonë strategjike.
Ai kritikoi ashpër kërcënimet e Iranit ndaj anijeve tregtare, duke deklaruar se këto veprime nuk përbëjnë kontroll mbi rrugët detare.
“Kjo është pirateri, kjo është terrorizëm,” tha ai, duke shtuar se pretendimet e Iranit për dominim në Ngushticën e Hormuzit nuk qëndrojnë. Sipas tij, “nuk mund të kontrollosh asgjë” pa një flotë detare të mirëfilltë.
Hegseth nënvizoi se, megjithëse tensionet janë të larta, infrastruktura energjetike e Iranit nuk është shkatërruar “ende”, duke lënë të kuptohet se ekzistojnë opsione të tjera që mund të ndërmerren nëse situata përshkallëzohet.
