Rreth 248 mijë persona nga gjashtë komuna të Kosovës figurojnë në listën zgjedhore të Serbisë, ndonëse në këto komuna nuk hapen qendra votimi për zgjedhjet serbe.
Kështu ka deklaruar Ognjen Rashuo, anëtar i Komisionit për Auditimin e Listës së Votuesve në Serbi, sipas gazetës serbe “Nova”, transmeton KP.
Sipas të dhënave të publikuara prej tij, në listën zgjedhore serbe figurojnë 36.815 votues në Gllogoc, 31.182 në Deçan, 83.684 në Gjakovë, 18.095 në Shtime, 32.817 në Kaçanik dhe 45.442 në Therandë. Në total bëhet fjalë për rreth 248 mijë persona.
“Në këto komuna nuk hapen qendra votimi, nuk printohen ekstraktet, por këta njerëz ekzistojnë në listën e votuesve”, ka deklaruar Rashuo.
Ai ka thënë për “Nova” se Ministria e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale e Serbisë nuk i publikon të dhënat për këto gjashtë komuna të Kosovës.
Sipas tij, një pjesë e personave të regjistruar janë të zhvendosur brenda Serbisë dhe kanë të drejtë vote, ndërsa një pjesë tjetër janë shqiptarë që vazhdojnë të figurojnë në listë pasi ajo, sipas tij, nuk është pastruar që nga viti 1999.
Rashuo ka sqaruar se personat që figurojnë në këto lista nuk votojnë në komunat përkatëse të Kosovës, pasi atje nuk hapen qendra votimi për zgjedhjet serbe.
“Nuk fshihen, por listat votuese për ato vende nuk publikohen dhe nuk printohen. Ata njerëz nuk votojnë, teorikisht as nuk mund të dalin në zgjedhje. Qendrat e votimit nuk hapen, as në Gjakovë, as në Kaçanik, askund”, ka deklaruar ai.
Çështja është pjesë e debatit më të gjerë mbi saktësinë e listës zgjedhore të Serbisë. Anëtarja e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Sofija Mandiq, ka deklaruar se në listë figurojnë rreth 900 mijë votues më shumë sesa numri që del nga regjistrimi i popullsisë i vitit 2022.
Ndërkohë, Rashuo ka bërë të ditur se 42 komuna në Serbi kanë më shumë votues të regjistruar sesa banorë. Ai ka përmendur si shembuj Mali Zvornikun, Preshevën dhe Kuçevën.
Auditimi i listës së votuesve ishte ndër rekomandimet prioritare të ODIHR-it pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2023 në Serbi. Megjithatë, anëtarë të komisionit të auditimit pretendojnë se procesi nuk ka përfunduar dhe se ende ekzistojnë paqartësi për saktësinë e listës.
Autoritetet serbe, nga ana tjetër, pretendojnë se rekomandimet kryesore të ODIHR-it për listën zgjedhore janë adresuar përmes ndryshimeve ligjore.
